Weber pas LDK-së takon edhe krerët e Vetëvendosjes, interesohet për çështjen e koalicionit

Kreu i grupit të EPP-së në Parlamentin Evropian, Manfred Weber, pas takimit që ka zhvilluar sot me krerët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka qëndruar edhe në selinë e Lëvizjes Vetëvendosje.

Weber në këtë takim me kreun e VV’së, Albin Kurtin dhe Glauk Konjufcën e Fitore Pacollin, është interesuar edhe rreth asaj se si po iu shkojnë punët dy partive në çështjen e arritjes së koalicionit për bashkëqeverisje pas zgjedhjeve të 6 tetorit.

“ Weber e uroi Kryetarin Kurti për fitoren e zgjedhjeve të fundit. Ai u interesua për rezultatin e bisedimeve me Lidhjen Demokratike, dhe theksoi se rajoni i Ballkanit Perëndimor, ndryshe nga zhvillimet e fundit ku disa shtete shprehën qëndrime të caktuara për hapjen e negociatave është rajon me prioritet të lartë për BE-në”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Ndër të tjera në këtë takim është diksutuar edhe për cështjen e  integrimit të kësaj pjese të2 rajonit në Bashkim Evropian, derisa Kurti ka thënë se një prej prioriteteve të qeverisë së tij do të jetë lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Kryetari Kurti u pajtua me Z. Ëeber sa i përket integrimit të këtij rajoni në BE, dhe e përsëriti qëndrimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për nevojën e integrimit të të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor në të njëjtën kohë dhe sa më parë që të jetë e mundur. Tutje, Kurti e njoftoi atë edhe me prioritetet e qeverisë së re, ku rol qendror ka luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë dhe krijimi i vendeve te reja të punës. Me mbështetjen e biznesit të vogël dhe të mesëm dhe me investime nga jashtë e sidomos nga diaspora, me sistemin dual të arsimit që e zvogëlon hendekun e shkathtësive, edhe do ta përparojmë Kosovën përbrenda, edhe do të avansojmë drejt BE-së”, thuhet tutje

Në fund të takimit, palët thonë se janë dakorduar të vazhdojnë komunikimin dhe bashkëpunimin në të ardhmen.