Walker i përgjigjet Vuçiqit për masakrën e Reçakut: Propagandues, e ke gabim

Ish-ministri i kriminelit Slobodan Milosevic dhe tani presidenti i Serbisë, Aleksandar Vucic ka lëshuar akuza të rënda ndaj William Walkerit dhe ka fyer shqiptarët duke mohuar masakrën e Reçakut.

Vucic e quajti të rreme masakrën e Reçakut duke fyer kosovarët dhe familjet e viktimave, ku tha se Walker “kishte falsifikuar” këtë masakër.

Mirëpo, William Walker i është kundërpërgjigjur ish-ministrit të Milosevicit gjatë një interviste duke thënë se ai e ka gabim dhe është një propagandues, duke e lidhur kështu me atë se ai ishte ministër i Propagandës në kohën kriminelit Milosevic.

Ai porositi Vucicin dhe makinën e tij propaganduese se ai lufton për të drejtat e njeriut kudo në Kosovë, madje edhe për komunitetin serb.

“Kur Vucic ose ndonjë makinë tjetër propaganduese përpiqet të më përshkruaj mua si një njeri që ka ndryshuar pozicionin rreth të drejtave të njeriut, e kanë gabim. Ata duhet të kuptojnë se unë luftoj për të drejtat e njeriut kudo, në Kosovë, edhe për komunitetin serb në Sllavoninë Lindore”, tha Walker gjatë një interviste për BBC.

Kujtojmë se William Walker, ish-ambasadori i OSBE-së në Kosovë, ishte i pari person i cili filloi të denonconte krimet serbe në Kosovë. Denoncimet e tij të vazhdueshme se popullsia në Kosovë po vritej nga serbët i hapi rrugën bombardimeve të Natos në Serbi.