VV’ja në Gjykatë Kushtetuese kishte argumentuar se të dënuarit në 3 vitet e fundit nuk duhet të certifikohen

Florian Dushi nga LDK, ka folur rreth moscertifikimit të disa kandidatëve për deputet të cilët janë shpallur fajtorë për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vjetët e fundit. Duke thënë se ishin pikërishtë VV, që kërkuan nga Gjykata Kushtetuese që personat e tillë që kanë probleme me ligjin të mos certifikohen.

Dushi ka cituar ankesën që Vetëvendosje kishte bërë për deputetin Etem Arifi,  “Etem Arifi nuk është dashur të certifikohet si kandidat për deputet, në nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili parasheh që një person është i aftë të kandidojë për deputet, përveç nëse është shpallur fajtor për një vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vitet e fundit”.

“Përfaqësuesi parashtrues i kërkesës thekson se mos zbatimi i nenit 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, në rastin e Etem Arifit është papërgjegjësi totale juridike e KQZ’së”, ka thënë Dushi, i cili ka lexuar ankesën që VV kishte bërë në Kushtetuese për deputetin Arfi.

Dushi tutje ka thënë se, këta që e kanë konsideruar certifikimin e Arifit papërgjegjësi totale juridike të KQZ’së, sot po e kërcënojnë dhe shantazhojnë KQZ’në.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kandidat për kryeministër, Albin Kurti është nga 47 kandidatët që nuk do të mund të garojë si deputetë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka certifikuar  lisën zgjedhore të Vetëvendosjes për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.

Ndërsa, VV ka dërguar mbrëmë ankesë në PZAP, për mos certifikimin e listë së saj zgjedhore, e ku brenda 72 orëve pritet vendimi.

Duhet theksuar se, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, KGJK kishte kthyer një përgjigje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ku thotë se “janë 47 kandidatë nga rreth 1.080, të cilët janë shpallur fajtorë për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vjetët e fundit”. Si të tillë, këta persona nuk mund të garojnë në zgjedhje, sepse, në aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese me të cilin u rrëzua qeveria e Avdullah Hotit, thuhet të gjithë personat që në tri vitet e fundit janë të dënuar për vepër penale me vendim gjykate të shkallës së prerë, nuk mund të garojnë në zgjedhje.