VV thotë se caktimi i kandidatit për kryeministër është i lehtë – nëse arrihet pajtim me LDK-në për programin

Lidhjes Demokratike të Kosovës i kanë mbetur edhe pak ditë që të vendosë nëse do të hyjë në koalicion parazgjedhor me Vetëvendosjen.

Përkundër deklarimeve të zyrtarëve të LDK-së dhe VV-së, se nuk heqin dorë nga posti i kryeministrit, sipas deputetes Albulena Haxhiu, caktimi i kandidatit është më i lehtë nëse mes dy partive arrihet marrëveshje për programin qeverisës, raporton KTV.

Haxhiu thotë se LDK-ja ka kohë deri në javën tjetër që të marrë një vendim lidhur me këtë çështje.

Në anën tjetër, Avdullah Hoti nga LDK, ka paralajmëruar se për koalicionin e mundshëm me VV-në dhe për kandidatin për kryeministër nga kjo parti, do të vendosin organet udhëheqëse.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Vetëvendosje, kanë nisur negociatat për bashkëpunim mes veti që nga dorëheqja e kryeministrit Ramush Haradinaj.

Ndryshe, nesër me fillim nga ora 10:00, deputetët e Kuvendit të Kosovës, pritet që të votojnë për shpërndarjen e Kuvendit, e që nënkupton shkuarjen në zgjedhje të parakohshme.

loading…