VV sa ishte në opozitë e kundërshtonte ashpër, tash Liburn Aliu pranon zgjatjen e pistës së Aeroportit

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka thënë që është arritur dakordimi për ta zgjatur pistën e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, që mundësojë aterimet edhe në kushte të rënda klimatike, por edhe në uljen potenciale të çmimeve të biletave.

“Së pari temë e diskutimit ishte përfundimi i këtij projekt dhe vënia në funksion sa më herët e pistës së re të zgjatur e cila do të ndihmojë jashtëzakonisht shumë në çështjet aterimeve edhe në kushtet e rënda klimatike gjë që ka qenë problematike në të kaluarën”, ka thënë Aliu në konferencë për media.

Mirëpo, ka qenë pikërisht partia e Aliut, Lëvizja Vetëvendosje e cila sa ishte në opozitë e pati kundërshtuar fuqishëm zgjatjen e pistës, shkruan Ballkani.info.

Avni Zogiani, ish zëvendësministër në Ministrinë e Infrastrukturës në Qeverinë Kurti I, në vitin 2018 kishte thënë se investimi prej 34 milionë euro i Qeverisë së Kosovës për zgjatjen e pistës së Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës përveç që është në kundërshtim me Ligjin për Menaxhim të Financave Publike dhe Ligjin për Prokurim Publik, është në kundërshtim edhe me Marrëveshjen për Stabilizim Asocim (MSA), nënshkruese e së cilës tashmë është Kosova.

“Kjo kontratë është arritur me thyerje të të gjitha ligjeve që vlejnë në Kosovë, që zbatohen në Kosovë dhe po ashtu kjo kontratë ka bërë edhe thyerjen e rregullave të Bashkësisë Evropiane përkatësisht të Marrëveshjes për Stabilizim Asocim, nënshkruese e së cilës Kosova tashmë është. Duke qenë se përmes kësaj marrëveshje (MSA) i ndalohet Qeverisë që të investojë para në sektorin provat për shkak se në këtë mënyrë ajo bën çrregullimin e tregut”, pati deklaruar Zogiani.

Më zgjatjen e pistës së Aeroportit ishte marrë edhe Hekuran Murati, aktualisht ministër i Financave.

Ai në vitin 2018 e kishte përpiluar një raport hulumtues në lidhje me Kontratën për Zgjatjen e Pistës së Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës.

Kontrata për këtë projekt kapte vlerën e 33.6 milionë eurove dhe megjithëse ishte nënshkruar më 4 gusht të vitit 2017, mbahej e pa-publikuar nga Ministria e Infrastrukturës.