VV: Procesi i rekrutimit të noterëve, shqetësues

Lëvizja Vetëvendosje ka shprehur shqetësimin lidhur me procesin e rekrutimit të noterëve, duke thënë se ky proces është i kompremetuar dhe se qëllimi i tij është dhënia e licencës për persona të afërt me ta.

Deputetja e LVV-së Albulena Haxhiu në një konferencë për medie ka pyetur se si është e mundur që në procesin që kanë aplikuar më shumë se 600 persona testin me shkrim e kanë kaluar vetëm persona të afërt me PDK-ën.

Sipas saj kjo parti tani që i ka mbushur institucionet me militantë e familjarë tani ka filluar që të zë edhe profesionet e lira siç është ai i noterit.

Ajo ka theksuar se pos raportimit në medie për këtë çështje kanë marr shumë ankesa dhe se kanë kërkuar që ky proces të ndalet. Me kësi raste sipas Haxhiut Kosova nuk do të ketë liberalizmi të vizave.

Në këtë konferencë ka folur edhe deputetja Fitore Pacolli. Ajo ka thënë se qeveria nuk ka punuar as sa i përket kriterit për luftim të korrupsionit, për liberalizim të vizave.

Pacolli ka thënë se në rastet që janë shenjëstruar nuk është asnjë person i profilit të lartë. “Nuk janë futur në lista lëndë ku janë të përfshirë persona të nivelit të lartë … strukturat e pushtetit janë kujdesur që të mos shenjëstrojnë raste ku janë të përfshirë zyrtarë të lartë të shtetit”, ka theksuar Pacolli.