VV përgatitet që të pengojë seancat ku merr pjesë Driton Selmanaj

Nga VV, kanë thënë se janë përgatitur skenarët për pengimin e seancave ku merr pjesë Selmanaj.

Kjo mund të jetë paraqitja e tij e fundit si zv/kryeministër në Kuvend.

Ky debat në mes të Driton Selmanajt dhe deputetes nga VV, Saranda Bogujevci, ishte më i përfoluri në ditët e fundit në vend.

Madje, Vetëvendosje, paralajmëroi se nuk do ta lejojnë mbajtje e asnjë seance në Kuvend, ku është i pranishëm zv/kryeministri, Selmanaj.

Ky subjekt, konsideron që fjalët Selmanajt në drejtim të deputetes Bogujevci, ishin ofenduese.

Prandaj, edhe skenarët e mundshëm për ta penguar mbajtjen e seancës, duket se janë përgatitur në zyrat e VV-së.

Fitim Uka shpreson se shkarkimi i Selmanajt, do të vije para se të ketë nevojë për pengim te seancës.

Ndërsa shton se shkak për këtë, është edhe deklarata e Selmanajt në Pressing të T7.

E burime të televizionit brenda VV-së, kanë thënë se në asnjërin nga skenarët për pengimin e seancës, nuk bën pjesë gazi lotsjellës.

Ndërkohë, Albert Krasniqi nga D plus, e sheh të panevojshëm rikthimin e skenarëve të tilla në Kuvendin e Kosovës.

Sipas tij, deputetët pakënaqësitë e tyre, mund t’i shprehin në rrugë kushtetuese.

Por, të gjitha këto që ndodhen së fundmi brenda sallës plenare në këtë legjislaturë, Krasniqi thotë se nuk janë shembull i mirë.

Ndërsa shton se sondazhet e fundit për matjen e opinionin publik, tregojnë që 60% e qytetarëve nuk janë të kënaqur me nivelin e etikes të deputetëve në Kuvend.

T7 ka provuar të marrë një përgjigje edhe nga zëvendës kryeministri, Driton Selmanaj, nëse planifikon të marrë pjesë në seancat e radhës.

Por ky i fundit, nuk ka kthyer një përgjigje për këtë gjatë se martës.