Aktivistë të Vetëvendosjes në Mitrovicë, kanë ndërmarrë sot një aksion simbolik para tunelit në hyrje të këtij qyteti, në shenjë pakënaqësie për zvarritjen e punimeve, të cilat po bëhen në sanimin e këtij tuneli.

Ata mbanin në duar pankarta me mbishkrimet ‘Deri kur o Pal’, ‘Mërgata po vjen, po kah po i bie’,‘Pal ik’ dhe të ngjashme, ndërsa kanë vendosur mbi tunel një pano me dimensione më të mëdha dhe me fotografi, ku shkruan ‘Jo bllokimit, Po lëvizjes së lirë’

Aktivistët po ashtu kërkuan përgjegjësi nga vetë ministri i Ministrisë së Infrastrukturës, Pal Lekaj për zvarritjen e punimeve, ndërsa paralajmëruan protestë para kësaj Ministrie nëse tuneli nuk hapet deri më 1 maj.

Alban Uka, nënkryetar i Vetëvendosjes në Mitrovicë, tha se qyteti i Mitrovicës është shndërruar në fenomenin e murit të Rozafës dhe projekteve, të cilat nuk përfundojnë asnjëherë, si ura e Ibrit, autostrada Prishtinë-Mitrovicë, rimëkëmbja e Trepçës, e tani edhe tuneli.