LVV

VV nuk merr pjesë në seancën e jashtëzakonshme

Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka deklaruar se nuk do të marrin pjesë në seancën e sotme e cila mund të jetë paralajmërim i plotësimit të Qeverisë në ditët e ardhshme.

Konjufca pak para fillimit të seancës së jashtëzakonshme, ka thënë se e ngutura është vetëm kur bëhet fjalë për dialogun me Serbinë.

Ai tha se PSD po bëhet asistente e Qeverisë duke ia mundësuar që mos të rrëzohet.

Kunjufca i ka kërkuar falje votuesve të VV-së që ka futur në listat e tyre njerëz të pa qëndrueshëm politikisht dhe është e neveritshme çka po bën sepse është kthyer në patericë të presidentit Thaçi.

Ai shtoi se deputetët e PSD-së, kanë marrë votat e Lëvizjes Vetëvendosje kundër dialogut me Serbinë që i ka sjell Kosovës vetëm dëme dhe po pritet t’ia sjellë edhe dëmin përfundimtar.

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu është shprehur se me anë të kësaj rezolute, Partia Social Demokrate po dëshiron të shpëtoi projektin që ka ngecur të presidentit, Hashim Thaçi.

Haxhiu konsideron se mungesa e legjitimitetit të presidentit, ka bërë që atij t’i duhen vagonët, sikur Limaj dhe Ahmeti për t’i dhënë legjitimitet atij.

Haxhiu ka thënë se rezoluta është e një subjekti minor që qëndron në Kuvend me mandat të vjedhur.

Sipas saj, kjo rezolutë është fuqizim i Hashim Thaçit.