VV mundohet ta ndreq imazhin e Qeverisë përmes një video propagandistike

Lëvizja Vetëvendosje, partia që drejton kryeministri Albin Kurti, përmes një videoje propagandistike ka bërë përpjekje që të ndreq imazhin e Qeverisë që drejton kreu i tyre.

Në një video që fillon me një valëvitje disa sekondëshe të flamurit të Republikës së Kosovës, Vetëvendosje e ka filluar përpjekjen për t’iu vënë në ndihmë Qeverisë Kurti. Në video thuhet se tashmë s’ka nevojë për angazhim të kompanive të lobimit, meqë imazhi i Qeverisë po rregullohet me punë dhe përmbajtje.

Tutje përmendin edhe rritjen ekonomike dhe luftën kundër korrupsionit si arsye që Kosova është ngritur në vlerësimet e organizatave ndërkombëtare. Këtu kanë përmendur Rezolutën e Parlamentit Evropian ku fjala korrupsion përmendet vetëm pesë herë, por s’kanë treguar fare se kjo Rezolutë është për Raportin e Komisionit Evropian për vitin 2021 ku fjala korrupsion përmendet plotë 95 herë.

Tutje nga VV përmendin vizitat e zyrtarëve të huaj që kanë ardhur në Kosovë, duke veçuar kancelarin Scholz, derisa përmendin edhe udhëtimin e kryeministrit Albin Kurti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ani pse e takoi vetëm Jake Sullivanin dhe s’arriti të futej në ndërtesën e Shtëpisë së Bardhë.

Në këtë video propaganduese Vetëvendosje thotë se puna ka ndryshuar edhe në shërbimin e jashtëm, meqë tashmë s’po vendosen familjarë por njerëz të zgjedhur.

Kjo video propagandistike vjen në kohën kur Kosova po përballet me një shkallë të lartë inflacioni dhe me rritje enorme të çmimeve. Ky është viti për të cilin edhe institucionet kredibile ndërkombëtare kanë paralajmëruar edhe rënie të zhvillimit ekonomik.