VV

VV kërkon që të pezullohet për 3 muaj dhënia e licencave për hidrocentrale

Në Komisionin hetimor parlamentar lidhur me procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi ka kërkuar nga ky komision që deri në përfundim të punës të pezullohet dhënia e lejeve të kompanive.

“Është e rëndësishme për mbarëvajtje të punës që ne si komision të marrim vendim ku i kërkohet institucioneve relevante dhe ministrive përkatëse që ta pezullojnë përkohësisht dhënien e lejeve dhe licencave deri sa ne të dalim me një raport përfundimtar. Kjo na ndihmon që të mos ngutemi dhe të marrim vendime të shpejta për shkak të presionit të kohës”, ka thënë ai.

Mirëpo me një gjë të tillë nuk është pajtuar deputeti I PDK-së Bajrush Xhemaili.

“Për me i ndërpre është problem sepse mund t’u shkaktojmë dëme edhe bizneseve që janë krejt në rregull, besoj nuk ka nevojë për pezullim. Por jam për atë që t’i hetojmë e intervistojmë rastet ku është më e ngutshme. Sepse megjithatë nuk janë pak tre muaj për kompanitë që janë në rregull”, ka thënë Xhemaili.

Ky komision është duke e shqyrtuar Draft-Planin e Veprimit. Puna e këtij komisioni do të mbaroj pas tre muajve dhe do të veprojë në tri faza, faza e hetimeve, faza e vlerësimit të hetimeve dhe faza e përgatitjes së raportit përfundimtar.

Kryetarja e Komisionit, Eliza Hoxha, ka shpërfaqur një listë të personave dhe institucioneve që duhet të intervistohen. Ndër ta janë ZRRE-ja, ish-ministrat e ambientit, drejtorët e departamenteve për ujëra, pellgje e agjencione të ngjashme. Si dhe Hoxha ka thënë se për intervistim duhet të ftohen edhe kryetarë dhe ish kryetarë të disa Komunave por edhe kompanitë investuese.

Ndërsa deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haxhi Avdyli, ka kërkuar që intervistimi të fillojë me Qeverinë aktuale për të kuptuar nëse do t’i vazhdohet leja e përkohshme kompanisë KELKOS.

“Unë kisha dashur që si pjesë të hetimit e intervistimit të fillojmë me Qeverinë aktuale sepse kemi të bëjmë me kompaninë KELKOS së cilës në mesin e këtij muaji i skadon licenca ambientale dhe ne duhet ta dimë si do të veprojë Qeveria dhe të dimë cilat janë planet e tyre për detyrimet që Kelkosi nuk i ka plotësuar”, ka deklaruar ai.

Ndërsa deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu ka thënë se intervistimet duhet të nisin nga ish-kryeministri Isa Mustafa dhe ish-ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari pasi që siç thotë ajo gjatë udhëheqjes së tyre ka lulëzuar ndërtimi i këtyre hidrocentraleve.