VV kërkon dorëheqjen e Veselit para hetimeve: Nëse vërtetohet përfshirja e tij duhet të shkojë në burg

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar rreth deklaratave të Kadri Veselit se “nëse vërtetohet se është i përfshirë në krimin për fajde do të japë dorëheqje”.

Vetëvendosje thotë se nëse ajo vërtetohet Veseli duhet të shkojë në burg, derisa kërkon dorëheqjen e Veselit për t’i hapur rrugë hetimeve, transmeton Koha.net.

“Në videon që doli në media, në emër të Kadri Veselit kërkohet para e paligjshme, si haraç a si fajde, nga anëtarë organizatash kriminale. E reagimi i kryetarit të Kuvendit ishte, për të thënë të paktën, frikacak: ai tha se po të vërtetohet se është pjesë e këtij rasti kriminal do të japë dorëheqje. Gjithë Kosova e gjithë bota e di se po të vërtetohet që Veseli është pjesë e rastit kriminal, nuk shkon në dorëheqje por drejt e në burg. Dorëheqja është akt moral, që bëhet për t’i hapur rrugë hetimeve. Pra, kur emrin ta përmendin si kërcënim për fajde, duhet të jetë dorëheqja para hetimeve, e jo hetimet para dorëheqjes”, ka shkruar Vetëvendosje në Facebook.

Vetëvendosje shton se vet Kadri Veseli ka luajtur rolin e naivit dhe ka shtruar pyetjen se pse drejtësia e paska pasur për gjashtë vite këtë video dhe nuk e ka hetuar. Dhe pastaj, ka kërkuar vetting në drejtësi.