VV ka emëruar 4 zv.ministra, LDK ende asnjë

Sa gjysma e numrit total të zëvendësministrave që kishte qeveria e kaluar, janë marrë vesh LV e LDK se do t’i ketë Qeveria në krye me Albin Kurtin. Mirëpo, një javë prej votimit në Kuvend, Kurti ka emëruar pak zëvendësministra nga partia që ai udhëheq, e asnjë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Deri në 35 zëvendësministra do t’i ketë Qeveria e Kosovës, në krye me Albin Kurtin.

Kështu janë marrë vesh para se të nënshkruanin koalicionin për bashkëqeverisje Vetëvendosje dhe LDK-ja.

Mirëpo, ani pse qeveria ka bërë tashmë një javë që është votuar, kryeministri Albin Kurti nuk i ka emëruar ende zëvendësministrat e qeverisë në të cilën ai udhëheq.

Deri më tani, në këtë pozitë janë bërë vetëm disa emërime, që janë pak krahasuar me numrin total.

I pari është emëruar Xhelal Sveçla, bashkëpunëtori i ngushtë i Albin Kurti që u emërua zëvendësministër në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Pas Sveçlës, Kurti ka emëruar zëvendësministër edhe Taulant Kryeziun në Ministrinë e Integrimit Evropian.

Imri Demelezi në anën tjetër është emëruar në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Mbërmë ndërkaq si zëvendësministër është emërur edhe Avni Zogiani.

Zogiani me vendim të Kurtit u emërua në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Ambientit që drejtohet nga ministri Lumir Abdixhiku.

Për dallim nga LV-ja që tashmë ka propozuar katër zëvendësministra, Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka bërë ende zyrtarisht asnjë propozim që pastaj të emërohet nga Albin Kurti.

Nuk është bërë e ditur se cila është arsyeja se pse LDK-ja s’ka bërë propozimet e tyre.

Sipas marrëveshjes LV – LDK, edhe ndarja e zëvendësministrave që emërohen bëhet proporcionalisht në mes të dy partive, teksa, një pjesë ju shkon edhe minoriteteve. Proporcionalisht janë ndarë edhe ministritë.