E thotë Zogiani

VV-ja tash s’ka të ndalur, thonë se edhe me ambasadorët do të veprohet si me bordet

Zëvendësministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Ambientit i Kosovës, Avni Zogiani, ka arsyetuar vendimin e Qeverisë Kurti për emërimin e anëtarëve të përkohshëm të bordeve në ndërmarrjet publike.

Gjatë një bisede në Frontal, në T7, Zogiani nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se këtë veprim e kanë bërë për ta parandaluar korrupsionin që, për 20 vjet, siç ka thënë ai, ka dominuar në këto institucione.

“Nuk ndalet korrupsioni, nëse vazhdojmë me të njëjtat borde”, ka thënë anëtari i VV’së.

Zogiani ka thënë se brenda një kohe të shkurtër nuk mund të hapin konkurs.

“Nuk mundemi brenda një jave të hapim konkurs. Po ashtu, nuk mundemi të dalim të marrim në rrugë dikë”, ka thënë Zogiani, i cili ka paralajmëruar se edhe me ambasadorët mund të veprohet në mënyrën e njëjtë si me bordet.

“Ndoshta do të detyrohemi që edhe një ambasador ta emërojmë në të ardhmen, ndoshta edhe nga Vetëvendosje”, ka thënë Zogiani.