Lëvizja Vetëvendosje, dega në Ferizaj, ka mohuar të ketë sulmuar aktivistin e PDK-së në këtë Komunë, Jakup Sabedini.

Përmes një postimi në Facebook, kjo Degë thotë se për këtë sulm kanë mësuar vetëm përmes mediave.

“Pasi u interesuam, duke pyetur aktivistët tanë që drejtojnë në pikat tona në lagje e fshatra, ne mund të themi me siguri se nuk ka asnjë përfshirje aktivistësh në këtë ngjarje”, thekson VV-ja e Ferizajt.

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Ferizaj ka shprehur keqardhjen për sulmin ndaj Jakup Sabedinit dhe ka uruar që ai të bëhet mirë sa më shpejt. Po ashtu, thotë se presin nga organet e rendit që të gjejnë cilët kanë qenë sulmuesit e t’i vënë përballë përgjegjësisë ligjore.

“Fakti se thuhet që ngjarja ka ndodhur para tre ditësh, e reagimi i PDK-së me akuza të pabazuara vjen vetëm sot, tregon se dikush po interesohet të nxisë opinionin publik, përmes shpifjeve e lajmeve të pavërteta. Aktivistët e Lëvizjes nuk janë të përfshirë, prandaj kryesit e vërtetë duhet të kërkohen diku tjetër. Dhuna është e dënueshme por dhe shfrytëzimi i emrit të Lëvizjes për shpifje e akuza të rrejshme si kjo është i padrejtë, ndonëse e kuptojmë që PDK-ja në këtë kohë nuk ka temë tjetër, e vetëm lajmet e pavërteta i shohin si mundësi për të kthyer vëmendjen”, potencon kjo parti.

“Kërcënimet, dhuna, inskenimet e situatave kanë qenë formë e veprimit të pushtetit të mëparshëm, që fatkeqësisht në qytetin e Ferizajt po vazhdon”, ka shtuar më tej Qendra e VV-së në Ferizaj.

loading…