VV-ja me standarde të dyfishta, dikur kërkonte të refuzoheshin votat e Serbisë, sot del kundër vendimit të PZAP-it

Lëvizja Vetëvendosje, nëpërmjet Adnan Rrustemit, anëtarit të saj në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), me datën 12 tetor, në një nga mbledhjet e KQZ-së ku është diskutuar për votat e ardhura nga mërgata ka thënë se votat e ardhura nga Serbia janë të kundërligjshme dhe si të tilla duhet të refuzohen.

“Në rastin e votave nga Serbia, nuk ka të bëjë me paligjshmëri. Ka dy elemente dhe duhet ta themi troç, mua po me vjen keq që nuk po respektohen dispozitat ligjore. Këto dërgesa janë të kundërligjshme se si janë sjell në Kosovë dhe janë me elemente të keqpërdorimit të zgjedhjeve për nga përmbajtja e tyre se kush i ka sjell, ku i kanë vendos, ku i kanë grumbulluar dhe kush është votuesi”, ka thënë anëtari i VV-së në KQZ, Adnan Rrustemi.

Ai në mbledhjen e KQZ-së ku të gjithë anëtarët ishin kundër numërimit të votave të Serbisë, me përjashtim të përfaqësuesit të Listës Serbe, ka kërkuar edhe të hetohet dërgesa e atyre votave.

“Duhet të hetohen, të verifikohen dhe të refuzohen dërgesat që kanë ardhur kundërligjshëm nga Serbia me elemente të parregullsisë së vullnetit dhe të keqpërdorimit të vullnetit të votuesve dhe kështu të përmbyllet operacioni”, ka thënë ndër të tjera Rrustemi.

Ndërsa sot, ai nëpërmjet një statusi të postuar në llogarinë e tij në Facebook, ka njoftuar se tre kandidatët e VV-së për deputet, Enver Haliti, Arta Bajralia dhe Alban Hyseni, kanë bërë ankesë në Gjykatën Supreme kundër vendimit të PZAP-së.

PZAP dje në vendimin e nxjerr ndaj ankesës së Nisma’ Socialdemokrate kishte anuluar votat e ardhura nga Serbia.

Lexojeni statusin e plotë të Rrustemit:

Kandidatët tanë mbrojnë mandatet dhe refuzojnë pazaret e PZAP-së

Më 7 nëntor, KQZ shpalli rezultatet përfundimtare, duke nxjerrë Lëvizjen me 32 deputetë, aq sa i dha populli. Kur i dështuan PZAP-së të gjitha tratativat për të penguar votat e rregullta të bashkatdhetarëve nga mërgata, zgjodhën rrugën absurde e në kundërshtim edhe me vendimet e veta të këtij viti e të 2014-s, për të hequr efektin e votave të mërgatës, duke hequr një numër të fletëvotimeve, aq sa ju duheshin për këtë qëllim.
Por, pazari i tyre është më i qartë se i qartë për secilin qytetar: devalvo procesin zgjedhor, konfiguro artificialisht rezultatin zgjedhor e numrin e mandateve. Larg e kanë menduar anëtarët e PZAP-së, e ulët kanë bërë hesapet, si vegël e nënshtruar në duart e atyre që i ka kapur makthi që nga nata e 6 tetorit.
Vendimet e djeshme të PZAP-së nuk kanë të bëjnë asgjë me procesin zgjedhor, rregullsitë apo parregullësitë, as me të drejtën e votës e ligjshmërinë e votimit. Ata kanë vetëm një hall e një synim. Halli është fitorja e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, e synimi ishte zvogëlimi i numrit të deputetëve tanë. Hallin nuk mund të ua heqim, por synimin nuk do të mund ta realizojnë.
Javë më parë, PZAP, dy herë kishte në dorë ankesën për votat e serbëve, e në dyja rastet i kishte refuzuar. Herën e parë si të palejueshme, herën e dytë si pasafatshme, kurse herën e tretë, e njëjta u bë edhe e lejueshme edhe e afatshme. Por, jo. Vetëm pazari i PZAP-ë u bë vendim, e vendimi i tyre do të mbetët vetëm një devizë e pakëmbyeshme financiarisht.
Të bindur se këto vendime janë politike në thelb e në formë, tre kandidatët tanë, Enver Haliti, Arta Bajralia dhe Alban Hyseni, të shpallur nga KQZ si deputetë të Listës fituese të Lëvizjes, kanë bërë ankesë në Gjykatën Supreme kundër vendimit të PZAP-së, e në mbrojtje të së drejtës së tyre si deputetë të zgjedhur, si dhe votën e qytetarëve për Lëvizjen VETËVENDOSJE!.

Dëgjojeni deklaratën e Adnan Rrustemit nga minuta e 08:41, ku flet për votat e ardhura nga Serbia:

loading…