VV-ja me peticion kërkon zgjedhje, thonë se protesta s’do të ketë tash për tash

Lëvizja Vetëvendosje me peticion do të kërkojë zgjedhje.

Sekretarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Vlora Haxhimurati, dhe Liburn Aliu, mbajtën konferencë për media ku ndër tjera folën edhe për raportin e UNDP-së mbështetur nga UNICEF-i.

Këtë raport e vlerësuan të mirë marrë parasysh kënaqshmërinë ndaj kryeministrit dhe Qeverisë, tash në detyrë.

“Sot kemi parë një raport të UNDP-së ku konstatohet se kënaqshëmria me punën e ekzekutivit është rritur. I njëjti raport tregon se me punën e kryeministrit Kurti janë të kënaqur 65 për qind e qytetarëve. Edhe pse kjo qeveri u godit prej LDK-së ajo vazhdoi të bëjë punë të mirë. Aktvendimi i Gjykatës hap rrugë për regjim ku vota e qytetarëve bëhet e parëndësishme. Do të nisim një peticion online për të kërkuar zgjedhje”, tha Haxhimurati.

Ajo shtoi se “Zgjedhjet janë zgjidhje e krizës politike, e vetmja rrugë për te dalë nga kriza”.

“Nuk lejojmë qeveri pa zgjedhje”, tha ajo.

Ndërkaq, deputeti Liburn Aliu ka thënë se peticioni është “rezistencë”. Ka thënë se ky do të jetë hapi i parë në kërkesën për zgjedhje të reja.

“Peticioni është rezistencë. Veprimet tona do të jenë paqësore me mjete legjitime”, ka deklaruar ai. Sipas tij, “një herë për një herë nuk ka nevojë për protesta”. /Ballkani.info/