VV-ja me aksion simbolik për gratë që u vranë nga burrat e tyre në Kosovë

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur një aksion simbolik në Prishtinë në përkujtim për gratë e vrara nga burrat e tyre.

Në kuadër të fushatës “6 ditë aktivizim kundër dhunës në baza gjinore”, nga ky subjekt janë ndezuar 59 qirinjë.

Fitore Pacolli, deputete nga radhët e kësaj partie tha që sot janë mbledhur për të përkujtuar gratë e vrara nga burrat e tyre.

“Jemi mbledhur që të përkujtojmë 59 viktima, gra të vrara nga burrat e tyre, dhe është e rëndësishme për ne që dhuna në familje të mos ekzistojë” tha Pacolli.

Në anën tjetër, Liridona Kelani, aktiviste e LVV, tha se 59 grave u është mohuar e drejta e tyre, nga burrat e tyre dhe institucionet vazhdojnë të neglizhojnë dhunën që po u bëhet grave

“Institucionet e kanë neglizhuar dhunën ndaj grave, policia në anën tjetër nuk merr  parasysh thirrjet e grave, dhe as drejtësia nuk ka bërë asgjë në këtë situatë” shprehet Kelani.

Ajo tutje, tha që pa marrë parasysh dallimeve gjinore krimi duhet të dënohet.