VV-ja konsideron se Thaçi po tenton t’i fshehë gjurmët në rastin e Deharit

Lëvizja Vetëvendosje përmes një reagimi për media ka akuzuar presidentin Hashim Thaçi se po tenton t’i fshehë gjurmët për rastin e vdekjes së aktivistit të kësaj partie, Astrit Dehari.

Ky reagim vjen pas raportimit se i dyshuari për vrasje të dyfishtë, Luz Allaku, të cilit presidenti ia ka falur 3 vjet e gjysmë të dënimit, nga 15 vjet në total sa ishte dënuar, është dëshmitar në procesin hetimor për vdekjen e Astrit Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

“Prokuroria të jetë aktive dhe e vëmendshme dhe të mos lejojë fshehjen e gjurmëve për rastin e vrasjes së Astrit Deharit. Po bëhen katër vite dhe ende nuk ka drejtësi për Astritin. Vrasësit dhe nxitësit ende nuk kanë dalë para drejtësisë. Dëshmitarët kryesorë të rastit ose janë falur e liruar nga burgu pavarësisht veprave të rënda për të cilat kanë qenë të dënuar, ose nuk janë më gjallë, si rasti i të ndjerit Naser Makolli. Ndërkohë këto ditë presidenti i ka lehtësuar dënimin për tre vite e gjysmë Luz Allakajt, të dënuar për vrasje të një fëmije, por që i njëjti është edhe dëshmitar në rastin e Astrit Deharit”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes, që ka vazhduar me disa pyetje për rastin. “Prokuroria Speciale po heshtë për rastin. Nuk ka asnjë informacion. Çfarë po ndodhë me rastin, deri ku kanë shkuar hetimet? A janë marrë në pyetje të gjithë ata që kanë mundësuar lirimet e dyshimta nga burgu të dëshmitarëve për të hetuar edhe rrethanat tjera që qojnë në zbardhjen e së vërtetës?”