VV-ja kërkon zgjedhje në Podujevë më 14 qershor

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë, sot i ka kërkuar Komisionit Qendror Zgjedhor mbajtjen e zgjedhjeve lokale në këtë qytet më 14 qershor.

Përmes një njoftimi të kësaj qendre në Facebook, thuhet se situata e tanishme epidemiologjike e lejon këtë.

“Sot, kryetari i Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Besianë, Bajram Ajeti, ka dorëzuar kërkesën dhe propozimin tonë për mbajtjen e zgjedhjeve më datën 14.06.2020. Pezullimi i zgjedhjeve komunale për kryetar komune është bërë më 14.03.2020, nga presidenti për shkak të parandalimit të përhapjes së koronavirusit”, thuhet në komunikatën e VV-së në Podujevë.

Zgjedhjet në Podujevë ishin anuluar pak ditë para mbajtjes së tyre për shkak të masave kundër koronavirusit. Zgjedhjet ishin caktuar, pasi Agim Veliu kishte dhënë dorëheqjen nga posti i kryetarit për të marrë postin e ministrit të Punëve të Brendshme në koalicionin e prishur tashmë, VV-LDK.

VV-ja kandidon në zgjedhjet e Podujevës me Shpejtim Bulliqin.

“Vlerësojmë se janë krijuar kushtet dhe rrethanat për t’u mbajtur zgjedhjet.
Ne sot dorëzuam propozimin tonë dhe presim që KQZ-ja në koordinim me institucionet shëndetësore të caktojnë datën e zgjedhjeve”, thuhet në njoftimin e VV-së, dega Podujevë.

Koha.net ka provuar të marrë një prononcim edhe nga KQZ-ja.