VV-ja i kundërpërgjigjet Bordit të Telekomit: Bëjeni publike shkëputjen e kontratës me Z-Mobile

Lëvizja Vetëvendosje i është kundërpërgjigjur Bordit të Drejtorëve të Telekomit të Kosovës, të cilët reaguan pas konferencës së mbajtur nga ky subjekt.

Ata përmes një komunikate për media thonë se në reagimin e tyre, Bordi nuk njofton nëse e ka dërguar njoftimin për mosvazhdimin e kontratës për Z-mobile por shpenzon kohë duke etiketuar deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe një subjekt politik parlamentar.

Sipas tyre, Bordi duhet të kthejë përgjigje publikut dhe deputetëve të Kuvendit për njoftimin zyrtar ku sqarohet pa ekuivoke mosvazhdimi i kontratës.

VV thotë se çdo veprim tjetër i tyre bie ndesh me interesin publik, interesin e ndërmarrjes dhe në përgjithësi me interesin shtetëror.

“Anëtarët aktual të bordit duhet të kuptojnë se janë në atë detyrë me mandat dhe përkohësisht, ndaj brenda mandatit të tyre ligjor duhet të veprojnë në mbrojtje të Telekomit të Kosovës, i cili është aseti më i çmuar që ka vendi në këtë sektor. Edhe njëherë përsërisim: Bëni publike vendimin për shkëputjen e kontratës me Z-mobile”, thuhet në reagimin e tyre.

loading…