VV-ja e Kurtit po i gëzohet marrëveshjes për lëvizjen e lirë, dikur e quante marrëveshje nënshtrimi ndaj Serbisë

Lëvizja Vetëvendosje i është gëzuar marrëveshjes së arritur me Kosovës dhe Serbisë për dokumentet e hyrjeve-daljeve.

Kur ishte arritur, të njëjtën marrëveshje e kishin quajtur nënshtrim, tani po e quajnë barazi.

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, LVV reagoi duke shkruar shkurt “Simetri, Balancë, Barazi, Reciprocitet”.

Sot më 27 gusht, Kosova dhe Serbia janë pajtuar që të heqin dorë nga lëshimi i dokumentit për hyrje-dalje për shtetasit e të dy vendeve, bëri të ditur shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell.

Kosova, më 1 gusht, për disa orë lëshoi dokumente të tilla, por vendimi u prit me barrikada nga serbët në veri të Kosovës.

Pasi ata hoqën barrikadat, Qeveria në Prishtinë, shtyu vendimin për 1 shtator. Ndërkaq, për çështjen tjetër, atë të targave, palët ende nuk kanë marrëveshje dhe ky vendim pritet të hyjë në fuqi më 1 shtator.

Deri te marrëveshje erdhi pas angazhimit të diplomatëve evropianë dhe amerikanë, të cilët kërkuan nga palët që të arrinin një ujdi dhe të shmangnin dhunën në veri të Kosovës.

Ndërsa, përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje, sa ishin në opozitë e kishin kritikuar Qeverinë e Kosovës për artitjen e kësaj marrëveshjeje për lëvizjen e lirë me Serbinë, e cila deri tash nuk kishte gjetur zbatim.

Ish-kryetari i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Visar Ymeri, kishte deklaruar se marrëveshja është produkt i negociatave të imponuara nga Serbia dhe rrjedhojë e një procesi jo të drejtë.

“Marrëveshjet në formë konkluzionesh nga negociatat e qeverisë së Kosovës me Serbinë po përkufizojnë një marrëdhënie të veçantë mes Kosovës dhe Serbisë. Edhe pse është e veçantë, kjo është një marrëdhënie nënshtrimi dhe jo barazie”, kishte deklaruar Ymeri.

Kujtojmë se lëvizja e lirë mes Kosovës dhe Serbisë filloi në dhjetor në vitit 2011 dhe u konfirmua nga ish-Ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi, i cili saktësoi se marrëveshja nuk përfshin vetëm ato pjesë të veriut ku ndodhen barrikadat serbe./Demokracia.com/