Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për Vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimeve antikushtetuese të Presidentit për shtyrjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Kryetar të komunës së Podujevës dhe Mitrovicës së veriut.
Hajrullah Çeku i tha Ekonomia Online se Kushtetuta si dhe konventat ndërkombëtare për të drejtat civile dhe politike garantojnë të drejtën e patjetërsueshme për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur.
Prandaj sipas tij, qytetarët e këtyre dy komunave po privohen nga e drejta për të pasur udhëheqës të tyre.
Shkelje kushtetuese e ka quajtur ai shtyrjen e zgjedhjeve, duke shtuar se arsyetimi për mbrojtjen e shëndetit të qytetarë nuk qëndron, ngase të dielën u lejua mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë.
“Vendimi i Presidentit për shtyrjen e mbajtjes së zgjedhjeve në Besianë dhe Mitrovicë janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës, si dhe në kundërshtim me konventa ndërkombëtare të integruara në Kushtetutë si dhe me praktikat e mira dhe Kartën Evropiane të Vetëqeverisjes Lokale”, tha ai.







