VV-ja bën kallëzim penal ndaj zyrtarëve të Fushë-Kosovës për “keqpërdorim të fondeve për COVID”

Shefi i Grupit të këshilltarëve të Vetëvendosjes në Fushë-Kosovë, Durim Hajra, ka dorëzuar në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, kallëzim penal ndaj qeverisë komunale. Hajra dyshon se mjetet që ishin ndarë për parandalim dhe luftim të COVID-19 janë keqpërdorur nga komunarët e Fushë-Kosovës.

Ai fillimisht njoftimin për kallëzim penal e ka bërë në Stacionin Policor të Fushë-Kosovës, e më pas e ka dorëzuar në Prokurorinë Themelore të Prishtinës.

Sipas tij, Kuvendi Komunal më datën 2 shtator ka marrë vendim me nr. 122 për ndarjen e 699,140 euro për parandalim dhe luftim të COVID-19.

“Si palë ndaj të cilës është ngritur kallëzimi penal është Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik dhe Drejtoria e Financave. Po i përmendi vetëm disa kode ekonomike për të cilat ne dyshojmë që nuk janë shpenzuar. Bëhet fjalë për 89 mijë e 130 euro për blerjen e testeve për COVID-19, testet të cilat nuk janë blerë. Pastaj për pakot higjienike dhe ushqimore, të cilat dyshojmë që nuk janë blerë me vlerën reale të tregut”, ka theksuar këshilltari Hajra. “Dhe bëhet fjalë për ndihmën për makro biznese dhe biznese të vogla nga Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik dhe Drejtoria e Financave nga e cila është bërë alokimi i mjeteve dhe të cilat nuk kanë sjellë raporte të detajuara. Për më tepër vlen të theksohet se blerja e reagensave për të bërë teste në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare nuk është bërë, ndërsa janë bërë teste në një spital privat për zyrtarët komunalë, ndërsa për qytetarët jo”.