Dje dështoi për herë të shtatë tentativa për konstituimin e Kuvendit. Propozimi i Vetëvendosjes për zgjedhjen e Kryeparlamentarit as sot nuk mori votat e mjaftueshme, çka u vendos që seanca të vazhdohet të martën në ora 10:00.
Pas dështimit të konstituimit të institucionit ligjvënës, partia e tretë më e madhe në vend, Lidhja Demokratike e Kosovës përmes deputetëve të saj ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje të Albin Kurtit po insiston t’i marrë të gjitha institucionet pa e pasur shumicën.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, njëherit deputet ka thënë se i takon Lëvizjes Vetëvendosje të bëjë zgjidhje, pasi me partitë tjera e ka një shumicë minimale.
I pari të bëjë zgjidhje si i pari, t’i bëjë votat, e ka edhe një shumicë minimale me partitë tjera, nuk e di pse nuk po e bëjnë”, tha ai dje pas dështimit të seancës.
Deputetja Hykmete Bajrami referuar Lëvizjes Vetëvendosje për dështimin sërish të zgjedhjes së Albulena Haxhiut Kryeparlamentare ka përdorur një shprehje të fizicientit Albert Einstein.
Ajo tha se VV-ja një gjë të tillë po e bën për herë të shtatë.
“VV për herë të shtatë pengoi konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Einstein e ka thënë shumë qartë se është çmenduri me përsërit veprimin e njëjte dhe me prit rezultat ndryshe”, tha ajo.
Bajrami theksoi se LDK-ja s’ka votë as për Haxhiun e as ndonjë kandidat tjetër.







