VV ia lë Listës Guxo vetëm Dragashin

Vetëm në komunën e Dragashit, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Guxo kanë dal me kandidatë të përbashkët.

Kaltrina Salihu është zgjedhur që të jetë kandidate nga LVV dhe Guxo për zgjedhjet e 17 tetorit.

Në komunikatën e lëshuar nga dega e LVV-së në Dragash, shkruajnë se po garojnë për të fituar për të shpëtuar komunën.

Komunikata e plotë:

17 tetori është data kur fitojnë qytetarët në Sharr

Në frymën e marrëveshjes së bashkëpunimit edhe në nivel lokal, por veçmas duke parë nevojën dhe domosdoshmërinë e ndryshimit rrënjësor edhe në komunën tonë, qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Sharr, bashkë me Listën GUXO, kemi zgjedhur të kandidojmë e fitojmë bashkarisht në Sharr, me kandidate për kryetare znj. Kaltrina Salihu.

Me përgatitjen profesionale dhe përvojën e angazhimin e gjatë në Dragash në kuadër të projekteve zhvillimore dhe në Prishtinë në procese planifikimi e koordinimi, znj. Salihu është e përkushtuar të vazhdojë të kontribuoj për Dragashin si për familjen e saj.

Ndryshimi që ndodhi me 14 shkurt në nivel vendi, është i pashmangshëm edhe për këto zgjedhje, përveçse i rëndësishëm tejmase.

Garojmë për të fituar, sepse duhet të fitojmë, jo sepse duam ne, por sepse duhet për ta shpëtuar komunën tonë.Migrimi masiv, mosshfrytëzimi i resurseve dhe mundësive të jashtëzakonshme që ofron zona jonë, në secilën fushë e digaster, keqpërdorimet e shumta e mospuna e madhe, janë faktorët kryesor që na e rrisin seriozitetit e dinamikën e punës për ta bërë fitoren shumë masive dhe rezultatin e saj më shumë se plebishitar.

Bashkë me qytetarët, lagje më lagje, duke dëgjuar e marrë për bazë brengat e tyre me të cilat përballen çdo ditë, hymë në këtë garë, me të vetmin qëllim, që t’ia kthejmë Sharrit sharmin që ka patur e që duhet ta ketë.Bashkë e bëjmë të mundur jetesën këtu, në shtëpitë tona, në lagjet tona, pranë komunitetit e bashkë me qytetarët.

Bashkë guxojmë, sepse bashkë do të vetëvendosim, për fatin tonë e të brezave që vijnë pas nesh.