Mesazhet e publikuara të bisedave mes Kusari-Lila -Radjoçiq -Simiq dhe bisedat e Dejona Mihalit me Nagip Krasniqin si dhe të fundit të publikuara sot mes Kusarit dhe Igor Simiqit janë bërë shkak që Lëvizja Vetëvendosje të marrë reagime nga opozita.
E gjithë kjo duket se ka nxitur Lëvizjen Vetëvendosje të mobilizojë disa deputetë të saj e ndonjë ministër për të ‘zhvendosur vëmendjen’ nga këto zhvillime.
Ministri i Financave, Hekuran Murati i ka quajtur “ushujza” opozitën, të njëjtit i ka akuzuar se “i kanë thithur gjakun Kosovës, për t’u ushqyer vet”.
“Dhe ngjashëm, tani kur këto ushujza po hiqen një nga një nga trupi i Kosovës, i dëgjon kastën e vjetër teksa ulërijnë e bërtasin, e akuzojnë se si vendit po i shkaktohet plagë e gjakderdhje.
Por në fakt, plaga dhe gjakderdhja në rastin e ushujzës janë pasoja, dhe njëkohësisht treguesi se trupi më në fund do të shërohet. Prandaj edhe s’do të ndalemi.
Të gjitha ushujzat do të hiqen një nga një. Mund të shkaktojë pak dhimbje në fillim, e mund të duket se po shkakton edhe gjakderdhje të përkohshme madje, mirëpo kjo është e vetmja mënyrë se si të kthjellet trupi”, shkroi Murati.
Akuzë tjetër për opozitarët erdhi edhe nga Sali Zyba, thotë se akuzat për ushqim në FSK kanë ardhur pasi pronari i Beni-Donës ka mbetur pa tender. E ky fundit thotë se është shokë i Isa Mustafës, Ramush Haradinajt e Enver Hoxhajt.
“Ragipi i njohur si “Zhaba”, pronari i Beni-Donës hapë hotel në Golem. Isa Mustafa, Ramush Haradinaj, Enver Hoxhaj dhe Edi Rama musafirë të tij.
Akuzat për ushqim në FSK nuk janë që ushtarët “nuk kanë” ushqim, por që shoku i tyre mbeti pa tender”, shkroi Zyba në Facebook.
Një reagim tjetër erdhi edhe nga deputeti Arbër Rexhaj, i cili përmes një shkrimi në Facebook ka akuzuar opozitën dhe mediat në Kosovës për lajmet e publikuara në mediat e huaja se ushtarët e FSK’së kanë mbetur pa ushqim.
“Kjo është meritë direkte e opozitës dhe e disa portaleve në Kosovë. Ushtarë të devotshëm të luftës hibride kundër ushtrisë së republikës. Bravo ju qoftë!”, shkroi Rexha.







