Partia Social Demokrate gjatë ditës së sotme ka bërë homazhe te varri i ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje Astrit Dehari, me rastin e dy vjetorit të vdekjes së tij në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.
Me anë të disa fotografive, shihet se një delegacion i PSD-së, ndër ta kryetari i kësaj partie Shpend Ahmeti, Visa Ymeri, Dardan Molliqaj, Shqipe Pantina, Adonis Tahiri e të tjerë kanë kujtuar Astritin në dy vjetorin e vdekjes së tij.
“Shoku dhe bashkëveprimtari Astrit Dehari vdiq në duart e pushtetit. I burgosur paarsyeshëm dhe padrejtësisht. Ende askush nuk ka dhënë përgjegjësi politike dhe ligjore për humbjen e jetës së tij. Drejtësia për Astritin është kushti për një shoqëri të drejtë, për republikë të lirë. Drejtësia për Astritin është liria e popullit të tij, e të gjithë popujve; barazia brenda popullit dhe midis popujve”, thuhet në jnë postim në rrjetin social në Facebook të shpërndarë nga PSD.
Ndërsa i pari i PSD-së, Shpend Ahmeti, ka shkruar në profilin e tij personal në Facebook, duke thënë se Astriti vdiq në duart e pushtetit.
“Sot, para dy viteve, Astrit Dehari humbi jetën në burgun e Prizrenit. I akuzuar dhe I pa intervistuar fare, Astriti u mbajt në burg paarsyeshëm dhe padrejtësisht për muaj të tërë. Pavarësisht rrethanave, Astriti vdiq në duart e pushtetit. Deri më sot, askush nuk ka dhënë përgjegjësi, as politike e as ligjore”, ka shkruar Ahmeti.
Ai e kujton Astritin si njeri shembullor i cili vdiq pasi që, siç u shpreh, po mbahej padrejtësisht në burg.
Shkodran Hoti i cili në kohën sa ishte gjallë Astriti ishin në të njëjtën parti, e ka kujtuar Astritin si shembull.
“Edhe pse u shua i ri, jeton përherë shembulli i tij; fillimisht si njeri, e më pas si mik e aktivist politik. I kam në mendje plot momente të këndshme e muhabete të shumta më të. I ruaj gjithnjë kujtimet bashkë me mirësinë që e rrezatonte në çdo moment e me buzëqeshjen që nuk iu nda kurrë nga fytyra”, ka shkruar Hoti.
Deputeti i PSD-së, Fisnik Ismaili me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka treguar se mbrëmjen e kaluar ka vizituar familjarët e Astritit për rastin e dyvjetorit të vdekjes së tij.
Por përveç vizitës që kishte bërë, Ismaili ishte përballur me vezët deri sa po kthehej nga familja e Astrit Deharit.
Ai është gjuajtur me vezë së bashku me bashkëshorten e tij, ndërsa ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për një veprim të tillë.
Sekretari organizativ i PSD-së, Naim Jakaj ka shkruar se “për njerëz si Astriti duhet falendëru Perëndinë! Ai nuk është matë me madhësinë e forcës, por me forcën e zemrës së tij!”
Kolegë të tjerë të Astritit me pozita të larta në PSD, kanë zgjedhur të heshtin në ditën kur Astriti shënon dy vjetorin e vdekjes së tij.
E në kohën e vdekjes së Astritit, VV e PSD ishin bashkë, ishin një parti, ndërsa sot edhe homazhet i kanë bërë ndaras.



Fjalimi i Albin Kurtit në dyvjetorin e vdekjes së Astrit Deharit, Foto: Facebook








