VV e PDK i thonë “bravo” Vjosa Osmanit, ajo përplaset me LDK-në

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani edhe në seancën e sotme të Kuvendit ka pasur përplasje me deputetë të AAK-së dhe LDK-së të cilët kanë  e kanë akuzuar për keq udhëheqje të seancave.

I gjithë debati është nxitur pas ndërhyrjes që Osmani ka bërë në fjalën e ministres Meliza-Haradinaj Stublla e e cila po kritikonte qeverisjen e Albin Kurtit.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ka thënë se çdo herë që po ndodh ndonjë tension në Kuvend, kjo ndodh pasi kryesuesi i seancës po shkon përtej kompetencave të tij.

Mirëpo, përkrahje në punën e saj Osmanit i kanë dhënë shefat e grupit parlamentar të VV-së e PDK-së, të cilët e kanë inkurajuar atë që të vazhdojë punën.

“Kërkoj që situatën ta mbani në nivel dhe të vazhdoni seancën kështu sepse shumë mirë po e drejtoni seancën”, ka thënë Rexhep Selimi, shef i grupit parlamentar të VV-së.

Të njëjtën e ka potencuar edhe Memli Krasniqi nga PDK, i cili ka thënë se si grup paralamentar i PDK-së mbështesin punën e Vjosa Osmanit.

“Unë nuk mendoj që ju si kryetare po dilni jashtë prej asaj që e përcakton rregullorja. Secili prej kryetarëve e ka pasë një traditë të tij të menaxhimit të temave. Si grup paralamentar ne ju mbështesim në punën tuaj”, u shpreh ai.