VV: Duam të gjykohen ata që kanë abuzuar me pushtetin

Lëvizja Vetëvendosje nuk dëshiron të hetohet lufta e UÇK-së si luftë kriminale, sepse ajo ka qenë luftë çlirimtare ndaj një pushtuesi kriminal, por ky subjekt dëshiron dhe do të punojë vazhdimisht që të gjykohen të gjithë ata që kanë abuzuar me pushtetin, të korruptuarit që po e grryejnë Kosovën përbrenda dhe po e shtrembërojnë fotografinë tonë nga jashtë.

Kështu ka deklaruar kryetari i VV-së për Prishtinë, Arben Vitia, gjatë hapjes së mbledhjes së Këshillit të Qendrës së Vetëvendosjes në Prishtinë.

Ai deklaroi se Kosova po udhëhiqet nga njerëz të shantazhuar, e për këta të fundit, tha se nën shantazh po e pranojnë edhe Gjykatën Speciale.

Vitia ka folur edhe për situatën në Kosovë, ku ndër të tjerash ka përmendur edhe njohjet që ka humbur Kosova gjatë 10 viteve të fundit. Sipas tij, Kosova nuk ka shumë të arritura gjatë kësaj dekade.

Pavarësisht se nuk janë më në krye të Prishtinës, Vitia ka premtuar se VV do të qëndrojë çdo herë afër qytetarëve të kësaj komune, sepse sipas tij, kjo komunë është fituar nga votat për Vetëvendosjen.

Sipas tij, gjatë vitit 2018 qendra e VV-së në Prishtinë ka arritur një numër prej 6000 anëtarësh.

E për vitin 2019, Vitia ka njoftuar se fokusi i tyre do të jetë hapja e pikave të reja dhe angazhimi më i madh i grave dhe vajzave në këtë parti.