VV distancohet nga lajmet për ofendimin e ish-ushtarit të UÇK-së dhe gruas së dhunuar

Vetëvendosje është distancuar nga lajmet se anëtarë të kësaj partie e kanë ofenduar në rrjete social një ish-ushtar të UÇK-së dhe një grua të dhunuar në luftë.

Arlind Manxhuka nga sekretariati për media ka shkruar në Facebook se asnjëri nga ata që kanë komentuar në këto dy raste nuk janë pjesë e Vetëvendosjes.

“Ishin dy çështje këto dy ditë: njëri që kishte fyer ushtarin UÇK-së dhe tjetri që e quante prostitute një grua të dhunuar në luftë. Pra, as i pari as i dyti nuk janë fare pjesë e VV, ndërkohë titujt e disa mediave i referohen atyre si VV”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, po bëhet shpifje si tendencë për të goditur Vetëvendosjen.

“Ajo që duket edhe më interesante në këto shpifje është tendenca për të goditur VV pikërisht për ato që është angazhuar më së shumti dhe që vazhdon të angazhohet: të mbrojë luftën e drejtë të UÇK-së dhe të kërkojë drejtësi për gratë e dhunuara e viktimat e luftës. Për gjitha këto me qëllim të kërkesë për drejtësi Lëvizja ka bërë qindra aksione, tryeza, seanca parlamentare, madje siç u theksua një ditë kjo ishte Qeveria e parë që do të bënte padi ndaj Serbisë për gjenocid”, kanë shtuar nga LVV’ja.