Lëvizja Vetëvendosje e lideri i saj, Albin Kurti, sot uruan qytetarët për nder të Ditës së Pavarësisë. Kurti shkroi në Twitter se është krenar me trashëgiminë e Kosovës dhe se po feston 13 vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Por LVV e Kurti nuk mendonin të njëjtën gjë kur festohej përvjetori i parë i 17 shkurtit më 2009.

Në fletushkën e botuar më 16 shkurt 2009, të titulluar ”Pse Deklarata e Shpalljes së Pavarësisë nuk na solli pavarësinë”, VV thoshte se deklarata që shpallte Kosovën shtet të pavarur e sovran ishte ‘një hap para e tre mbrapa’.

Në shkrimin e publikuar 12 vite më parë, VV nuk përmendte askund fjalën republikë kur i referohej Kosovës si entitet politik.

Madje atëbotë VV thoshte se kjo deklaratë e pavarësisë ia mundësoi Serbisë zgjerimin e kontrollit mbi Kosovën.

”Deklarata e Pavarësisë së Kosovës e 17 shkurtit 2009 ishte një hap përpara, për shkak të njohjes ndërkombëtare. Por, në të njëjtën kohë, kjo deklaratë paraqet tre hapa mbrapa, sepse është e lidhur me zbatimin e Planit të Ahtisaar-it, mbikëqyrjen ekzekutive prej dy misioneve ndërkombëtare mbi bazën e Rezolutës 1244, dhe sepse ia mundësoi Serbisë zgjerimin e kontrollit brenda Kosovës”, shkruante VV në Fletushkën nr.134.

Tutje në Fletushkë, VV thoshte se Plani i Ahtisaarit, të cilën Deklarata e Pavarësisë e obligon Kosovën ta zbatojë, e ndan vendin mbi baza etnike e fetare dhe se i mohon të ketë ushtri të saj.

”Deklarata e shtrëngon Kosovën për ta zbatuar Planin e Ahtisaar‐it, i cili e ndan vendin tonë mbi baza etnike. Ai krijon brenda Kosovës një entitet territorial serb përmes ‘decentralizimit’, që do të kishte lidhje vertikale me institucionet e Beogradit. Po ashtu, ky plan të gjithë trashëgiminë ortodokse të Kosovës e definon si ‘serbe’, duke na shpronësuar prej kulturës sonë dhe duke na ndarë mbi baza fetare. Ai ia mohon Kosovës pasjen e ushtrie për ta mbrojtur veten, kurse Serbisë ia mundëson zhvillimin e mekanizmave për ta mbrojtur kontrollin e saj brenda Kosovës”, shkruante VV në një vjetorin e Pavarësisë.

VV deklaronte se Deklarata e Pavarësisë zotohet të veprojë në përputhje me parimet e Rezolutës 1244 duke theksuar se ajo i njeh Serbisë sovranitetin mbi Kosovën.

”Deklarata po ashtu përmban zotimin e veprimit në përputhje me parimet e Rezolutës 1244, e cila ish Republikës Federale të Jugosllavisë (tash Serbisë) ia njeh sovranitetin dhe integritetin territorial mbi Kosovën!”, shkruante VV.

Ndërkaq VV kritikonte edhe misionin e EULEX-it dhe Zyrën Civile Ndërkombëtare (ICO) duke thënë se kanë pushtet ekzekutiv në Kosovë dhe se janë mbi ligjin e neutral ndaj statusit të Kosovës.

Në pjesën e dytë të shkrimit, VV shkruante për strategjinë e Serbisë brenda Kosovës, e cila, sipas VV-së, duke organizuar sulme mbi qytetarët në Veri tregon se autoriteti i institucioneve të Kosovës nuk shkon mëtanë lumit Ibër.

E synimi i dytë i Serbisë, sipas VV-së, ishte forcimi i strukturave të Serbisë brenda Kosovës duke bojkotuar institucionet e vendit si policinë në mënyrë që të krijojë themelet e entitetit territoriale autonom serb.

Në fund, VV thoshte që në mënyrë që Kosova të jetë sovran dhe e pavarur, vendi duhet të ketë ushtri, kontrollim të policisë, refuzim të Planit të Ahtisaarit e shpërbërje të strukturave paralele serbe në Kosovë.

Kujtojmë që javëve të fundit VV ka filluar heqjen e shkrimeve nga faqja e tyre në internet duke ngjallur reagime të shumta nga kritiket e saj.