VV dakordohet që të gjejë ‘zgjidhje përmbajtësore’ për zjarrfikësit

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se qeveria e re do të gjej zgjidhje përmbajtësore dhe afatgjate për problemet me të cilat përballen zjarrfikësit në punën e tyre.

Kështu janë dakorduar VV së bashku me sindikatën e zjarrfikësve kryetar i të cilëve është Muharrem Beka.

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se gjatë ditës së djeshme, anëtarët e kryesisë  Xhelal Sveçla, Kreshnik Ahmeti dhe deputeti Hekuran Murati, janë takuar me përfaqësuesit e Sindikatës së Zjarrfikësve të Kosovës, të drejtuar nga kryetari Muharrem Beka.

“Përfaqësuesit e sindikatës njoftuan zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje me gjendjen e tyre të vështirë të punës, e cila shkaktohet nga paqartësia e statusit të tyre juridik, mungesa e investimeve në pajisje, numri i pamjaftueshëm i zjarrfikësve në vend, pagat e ulëta dhe shumë probleme të tjera të cilat vështirësojnë punën dhe jetën e zjarrfikësve”, thuhet në njoftimin e LVV-së.

Tutje thuhet se në takim pati pajtueshmëri që problematikat e zjarrfikësve nuk janë trajtuar në mënyrë serioze dhe nuk janë synuar zgjidhje afatgjata nga qeveritë e kaluara.

“Zjarrfikësit kanë mbetur pa status juridik të qartë dhe pa mbështetje institucionale për më shumë se një dekadë dhe nuk është investuar në kapacitete të tyre operative sipas nevojave të cilat i ka ky institucion i rëndësishëm i Republikës”, thuhet tutje në njoftim.

Sipas LVV-së, takimi përfundoi me dakordim për ta vazhduar bashkëpunimin e afërt dhe të mirë dhe që së bashku me sindikatën dhe njohësit e fushës, qeveria e re të gjejë zgjidhje përmbajtjesore dhe afatgjata për problemet me të cilat zjarrfikësit po përballen në secilën minutë të punës së tyre, e cila është bërë edhe më e rrezikshme për shkak të neglizhencës institucionale.