Vulin ofendon shqiptarët me termin “siptari” , i reagon ashpër Kamberi

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Republikës së Serbisë, Shaip Kamberi, ka thënë se Ministri serb, Aleksandër Vulin po vazhdon të përdorë termin “siptari” kur iu referohet shqiptarëve.

Ai thotë se nuk fyhet nga ajo që thotë Vulin, pasi që nuk mund të ndihesh i ofenduar nga një person që nuk ka dinjitet.

“Problemi është se z.Vulin tregon se nuk e respekton vetë shtetin e Serbisë dhe ligjet e saj. I kujtojmë z.Vulin se të gjitha dokumentet zyrtare të Republikës së Serbisë emërtojnë shqiptarët si “Albanci”. Paramendoni, Ministri i Brendshëm që nuk i përfill ligjet e shtetit, terminologjinë zyrtare. Prandaj, z.Vulin është sot një nga simbolikat më të mira se ku është katandisur Serbia së sotme. Pa e harruar faktin se duke e përdorur gjuhën e urrejtjes ndaj shqiptarëve, z.Vulin dëshmon se nuk shqetësohet për reagimin që prodhon gjuha e tij, në përditshmërinë e qytetarëve serbë që jetojnë në mjediset e përziera me shqiptarët”, thotë ai.