Vulin i reagon ashpër ambasadorit Scott që tha se Kosova është e pavarur

​Ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin, i ka reaguar ashpër ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Kyle Scott, për deklaratën e dhënë sot se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran.

Mediat serbe shkruajnë se Vulin ka thënë se po ta thoshte Scott të njëjtën para presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, do të “fluturonte” nga pozita e ambasadorit.

“Scott ka treguar arrogancën e tij dhe ka harruar se Serbia nuk është koloni që e hedhë poshtë dinjitetin e saj”, citohet të ketë thënë Vulin.

“Mirë që Ambasadori Scott nuk ka provuar që arrogancën e tij ta tregojë në ndonjë ngjarje ku do të ishte Presidenti Vuçiq, sepse ai do të fluturonte nga Qeveria. Serbia së paku po e sheh kush po e lufton atë”, ka deklaruar ai.