Presidenti serb

Vuçiqi thotë se e paralajmëroi Lajçakun se “lëvizjet e Prishtinës vënë në pikëpyetje gjithçka”

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është takuar në Davos të Zvicrës me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

Vuçiq në postim në Instagram ka thënë se ka pasur diskutim të hapur me Lajçakun dhe e ka paralajmëruar atë se “lëvizjet e Prishtinës e vënë në pikëpyetje çdo gjë që është arritur deri tash në procesin e normalizimit”.

“Një bisedë e hapur me Miroslav Lajçakut gjatë Forumit Ekonomik Botëror për situatën në Kosovë e M. dhe kërcënimet me të cilat po përballet çdo ditë popullata serbe, të cilat kërcënojnë paqen dhe stabilitetin në rajon. E ritheksova se Serbia vazhdon të udhëheqë një politikë të përgjegjshme të bazuar në dialog dhe të drejtën ndërkombëtare, por gjithashtu paralajmërova se lëvizjet e Prishtinës vënë në pikëpyetje gjithçka që është arritur deri më tash në procesin e normalizimit të marrëdhënieve”, ka shkruar Vuçiq në “Instagram”.

Vuçiq të martën tha se “Prishtina po e shqyrton anulimin e transaksioneve të pagesave me Serbinë qendrore, ta ndalojë përdorimin e dinarit dhe po ashtu po mendon ta bastisë Bankën e Kursimeve Postare”.

Të njëjtat ai i përsëriti edhe në prononcim për media pas takimit me Lajçakun.

“Kurti po kërkon ta pengojë pagesën e rrogave dhe pensioneve për popullin tonë, që do të nënkuptonte jo një largim të heshtur por të zëshëm të serbëve nga Kosova e M. Unë kërkoj mbështetje jo për Serbinë, por për njerëzit e thjeshtë në Kosovë e M., që t’u mundësohet të vazhdojnë të jetojnë në shtëpitë dhe territorin e tyre, në përputhje me parimet e vitit 2015, por edhe në pajtim me planin e ri për AKS-në të miratuar nga BE-ja. Nëse dikush dëshiron ta shkatërrojë edhe atë, ajo që na mbetet është kërcënimi më serioz dhe më i madh deri më tash për dialogun”, ka thënë Vuçiq.