Vuçiqi para takimeve në Bruksel takohet me ambasadoren e Kinës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka pritur në takim ambasadoren e Kinës në Beograd, Chen Bo, para se të udhëtojë sot për në Bruksel ku do të takohet me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Sipas njoftimit të Presidencës së Serbisë, Vuçiqi e ka njoftuar ambasadoren me situatën në “Kosovë e M. para takimit në Bruksel në kuadër të dialogut Beograd – Prishtinë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian”.

Në takim Vuçiq e ka përmendur çështjen e Asociacionit.

“Për nëntë vjet kurrë nuk u ka shkuar në mend ta formojnë Asociacionin e Komunave Serbe. Presim nga BE-ja dhe partnerët ndërkohë që të ndikojnë te Prishtina që me seriozitet dhe përgjegjësi të përmbushë detyrimet siç ka bërë Serbia”, tha Vuçiq në takim, raporton Presidenca e Serbisë.

Ndërkohë ambasadorja kineze ka thënë se respekton integritetin territorial të Serbisë dhe se Kina mbështet gjetjen e një zgjidhje në kuadër të dialogut.

“Kina kupton dhe përkrahë të gjitha të drejtat legjitime të palës serbe, përfshirë edhe ato sa i përket të drejtave të ligjshme të qytetarëve serbë në Kosoë e M.”, tha ambasadorja kineze.

Vuçiq sot takohet me shefin e NATO-s, Jens Stoltenbergun, ndërsa të enjten në Bruksel takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi të ndihmuar nga BE-ja.