Vuçiqi pajtohet me KOS-in, thotë se “për Kosovën të gjithë po shtiremi të marrë”

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq lidhur me mendimin Kishës ortodokse Serbe për Kosovën (“nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe nuk do ta lejojë ndarjen e saj”, është qëndrimi i pandryshuar i KOS-it), ka thënë se nuk ka pritur qëndrim tjetër të Kishës dhe se do ta respektojë atë, transmeton Koha.net .

Vuçiqi, i cili edhe kishte marrë pjesë dhe kishte folur në Kuvendin vjetor të Kishës, ka thënë se nuk kishte shkuar aty për t’u fshehur pas veladonit të kishtarëve. Por, ka thënë ai, duhet ballafaquar me realitetin.

“Detyrë imja është ta zhvilloj politikën në dobi të shtetit, t’ju dëgjoj, nuk kritikoj qëndrimet tuaja të kundërta, por përgjigjem në mënyrë shumë përgjegjëse e të drejtë”, citon b92 t’u ketë thënë Vuçiqi kishtarëve në atë takim.

Ai ka shtuar se e di kundër çkaje janë të gjithë në vendin e tij, ndërsa është ankuar se ende nga askush nuk ka dëgjuar çfarë është ajo e që të ketë lidhje me realitetin.

“Po dëgjoj vetëm fjalë se Kaçaniku është zemra e Serbisë. A mund të shkoni atje e të hapni ndonjë institucion serb? Përgjigje në këtë pyetje nuk ka. Do të presim me vite, do të presim pesë milionë vjet. Meqë të gjithë po shtiren të marrë në Evropë, në botë, edhe shqiptarët, edhe ne, edhe unë do të shtirem i marrë. Duket se politika e tillë ecën mirë. Edhe unë do të bëhem i marrë dhe do të pushoj nga shantazhet, kërcënimet, presionet. Fakti se do të humbim para, investitorë, rrugë dhe shumë gjëra të tjera, mos më pyesni mua për këto. Po e them këtë, sepse po e zhvillojmë “politikën e shtirjes së të marrit”, ka thënë ai.

Ka shtuar se “po e ha veten”, pasi e di se kjo çështje (Kosova) duhet të zgjidhet, ndërsa më vonë ajo do të jetë në një gjendje krejtësisht tjetër.

Ka treguar se njëri nga kishtarët i ka thënë se duhet ta kuptojë se ai është qëndrimi i kishës.

“Por, ti vazhdoje punën, sepse është mjaft me ata që po shesin trimëri dhe nxirre maksimumin për serbët e për Serbinë”, ka përcjellë fjalët e kishtarit Vuçiqi.

Ai ka theksuar se kanë dëshirë të jetojnë në mitet e veta.

“Më shumë se sa ta gënjejmë tjetrin, ne kemi dëshirë ta gënjejmë veten. Gënjeshtra është sporti më i mirë yni, unë nuk do të marrë pjesë në të. Qëndrimin e KOS-it e respektoj, e kam kuptuar para një, dy e tre vjetësh dhe do ta kuptoj edhe pas pesë vjetësh”, ka thënë Vuçiq.