Presidenti serb

Vuçiqi nga Kina insiston në themelimin e Asociacionit

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nga Pekini të mërkurën ka thënë se do të insistoj në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, pasi thotë se është “detyrim juridik ndërkombëtar”, raporton “Tanjug”.

Vuçiq thotë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “nuk dëshiron ta themelojë Asociacionin”.

Ai është pyetur nga gazetarët për deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që tha se “formimi i të ashtuquaturës Zajednicë do të ishte goditje fatale për Kushtetutën e Kosovës”.

“Unë do të kërkoj të respektohen detyrimet ndërkombëtare dhe do të vazhdoj ta bëjë këtë”, tha Vuçiq.

Ai ka treguar se në Kinë ka nënshkruar një rekord prej 18 marrëveshjeve dhe se “këto janë dokumente që parashikojnë bashkëpunimin strategjik”.

“Besoj se ajo që kemi arritur në Kinë ka rëndësi dhe karakter historik, që do të shihet në vitet dhe dekadat në vazhdim”, tha Vuçiq.