NATO

Vuçiqi nën rrënojat e një perandorie putiniste

Përgjatë 25 vjetëve të fundit, për shkak edhe të funksioneve zyrtare, e kam ndjekur me përgjegjësi shtesë situatën e sigurisë në raport me perspektivën Euroatlantike të Kosovës. Po ashtu, kam marrë pjesë në dhjetëra konferenca në rajon, Uashington, Bruksel, Qendra Marshall, Kolegji i NATO-s etj., si dhe kam publikuar (brenda dhe jashtë vendit) disa qindra opinione me rekomandime strategjike për të ndërtuar paqen e qëndrueshme mes dy popujve të vendeve sovrane.

Thjeshtë, kam bërë me përulësi detyrën ndaj kombit/flamurit, sa të kem frymë dhe kurdo të më jepet mundësia do të vijoj ta bëj edhe më mirë. Pikësëpari, bojkotimin në bllok nga Lista Serbe të Kuvendit, Policisë … dhe zyrtarëve të tjerë të angazhuar në institucionet e Republikës së Kosovës, nuk e gjej absolutisht si surprizë. Gjithsesi, e çmoj si një aventurë ekstreme për ta (sh)përdoruar Beogradin në hapjen e një fronti të ri mbas fillimit të humbjes turpëruese në Herson, Ukrainë, të vetmin kryeqytet nga rajonet e pushtuara nga fillimi i agresionit si dhe të shpallur “si pjesë të Mëmës Rusi” dhe të diskreditimit të Moskës në përballjen me fuqinë e vlerave të Aleancës Transatlantike.

Asnjë, zero krahasim, me rrethanat e vitin 1989, pasi kjo ndërmarrje shërben si karburant për agjendën gjeopolitike të Putinit në Ballkan. Në të kundërt, lëvizja e Prishtinës më 1989, ishte e imponuar nga regjimi pushtues i Beogradit, ndërsa thelbi i frymës dhe projektit rugovian ishte ndërtimi i një shteti me vlera, të drejta të barabarta dhe standarde perëndimore për të gjithë qytetarët e Kosovës. Parë kështu, duhet thënë se në 23 vjet, udhëheqësit e dy vendeve kanë dështuar të aplikojnë platformën e bashkëjetesës ndëretnike dhe të mirëbesimit reciprok në shtetin modern të Kosovës. Në vijim po përpiqem të hedh dritë dhe të ndaj vlerësime strategjike ndaj kësaj aventure të fortë por me pasoja më të rrezikshme në marrëdhënieve mes dy vendeve që mbas “çlirimit të Kosovës nga pushtimi barbar i Millosheviqit”, qershor 1999.

Së dyti, nga 11 qershori 1999, kur forcat e KFOR-it hynë në Kosovë deri në 2012, vlerësimi i Shtabit të Brukselit ishte: “Standardet e sigurisë në tërësi përmbushnin pritshmëritë e rezolutës 1244 edhe pse në terren, kishte ende grupe kriminale me axhendë ultra-nacionaliste”. Brenda kuadrit ballkanik, dukej se dy vendet që sapo kishin dalë nga luftëra të përgjakshme, po shijonin paqen si dhe të vendosura për integrimin në BE dhe NATO. Kjo situatë e motivoi Pentagonin, për ta planizuar NATO-n si “second responder” si dhe reduktuar prezencën ushtarake nga rreth 5000 në më pak se 300 personel këshillimor (NAT) për FSK. Gjithsesi, nuk mund të mos e themi se Beogradi Zyrtar, më posaçërisht z. Vuçiq, Ia ka dalë me sukses që:

Mbi jelekun antiplumb të Millosheviçit të veshë kostumin e perëndimorit duke dominuar axhendën personale, Kombëtare dhe deri diku ndërkombëtare. Kjo ka bërë që Serbia jo vetëm t’u rrëshqasë përgjegjësive të krimeve të pushtuesit, por të bëjë cinikisht viktimën dhe të ngrejë pikëpyetje kritike për aftësitë shtetformuese të udhëheqësve të Kosovës. Përfitoj nga rasti që si ish-përfaqësues i Shqipërisë në Komandën Supreme të NATO-s, ta sjellë në vëmendje, se, mbështetur në peshimin e rreziqeve në terren, e kemi refuzuar në çdo forum planin e reduktimit të prezencës së NATO-s. Për hir të së vërtetës, kemi qëndruar “fort dhe agresiv”, derisa nga Autoritetet e Larta të NATO-s na është tërhequr vëmendja: Nuk jeni përfaqësues të Kosovës (por të RSh), ndërsa siguria në Prishtinë ishte edhe më mirë se në Uashington, Bruksel etj.! Së treti, në verën e 2012 pasi (ri)shpërtheu situata në Veri për reciprocitetin e doganave, NATO e spostoi “reduktimin drastik të prezencës” ushtarake në Kosovë. Deri më 2022, pra, 10 vjetët e fundit prezenca ka mbetur me rreth katër mijë trupa të KFOR-it.

Në planin politik, tërheqjen e pak shteteve dhe bllokimi i njohjeve të reja të Kosovës mund të shihet si sukses i diplomacisë së Serbisë. E kundërta është e vërtetë e hidhur për Kosovën dhe në një masë të caktuar edhe për Shqipërinë. Po ashtu, kujtojmë se para rreth një viti nën “inspektimin diskreditues” të Ambasadorit të Rusisë në Beograd, Serbia dislokoi 80 për qind të fuqisë ushtarake në kufi me Kosovën, edhe pse e konfirmuar se për sa të ketë prezencë të NATO-s në Kosovë, agresioni ushtarak është një aventurë e pamundur. Nga ana tjetër, duhet thënë se Vuçiqi e teproi shumë me marrëveshjen e partneritetit strategjik me Rusinë (të nënshkruar cinikisht në Nju-Jork) duke e rreshtuar, në fakt, diskretituar Serbinë krah pesë shteteve terroriste.

Kështu aventurën për të krijuar boshllëk institucional në Kosovë përpos të tjerave, e gjej si kopje edhe me të shëmtuar se ajo e Rusisë në Krime para 2014, si dhe referendumet me tanke në Ukrainë, në shtator 2022. Në planin ushtarak, Serbia shpenzon rreth një miliard euro çdo vit për mbrojtjen (sa rreth gjashtë vjet Shqipëria dhe Kosova?) dhe është e armatosur (kryesisht nga Rusia) me Tanke, Mig-29, Helikopter luftimi Mi-35, raketa Pantsir-S ( dhe FK-3) etj.? Në disa vlerësime të publikuara në shqip, anglisht, serbisht dhe rusisht, i kam drejtuar të njëjtat pyetje z. Vuçiq: “Pse armatoset deri në dhëmbë (?), nga cili shtet ose aleancë rrezikohet (?) dhe sovranitetin e kujt vendi kërcënon Serbia? Përgjigjja është e thjeshtë:

“Nuk rrezikohet nga askush, por kërcënon integritetin e Kosovës si dhe interesat jetike të Kombit Shqiptar”. Shqetësimet për armatosjen e Serbisë, kam pasur privilegjin ta ndaj në vetë të parë edhe me gjeneralin legjendë dhe senatorin e paharruar, John McCain dhe jo vetëm. Për më tepër është fakt se SHBA ka pasur vëmendje të shtuar, duke dërguar në Serbi përfaqësues të Senatit për të kërkuar: “të ndalojë modernizimin e Mig-29, raketave Pantsir-S etj”., por Beogradi e ka devijuar edhe përmbushjen e mesazheve të Uashingtonit. Së katërti, do të doja shumë të isha gabim, por faktorët shqiptarë jo vetëm në Prishtinë:

Ndoshta të nëmur nga betejat mes vedit dhe për axhendën e gjithë-pushtetit, në 23 vjet kanë dështuar me sukses të krijojnë një platformë të përbashkët për interesat jetike të shtetit të Kosovës si dhe ato kombëtare. Nga ana tjetër, udhëheqësit e luftës çlirimtare të Kosovës, në emër të paranojës së karriges së përjetshme dhe interesave korruptive bënë lëshime delikuente ndaj burokracisë së Brukselit. Por po i paguajnë shumë shtrenjtë (shumica me pranga në Hagë) kullarot perëndimorë, ndërsa kosovarët janë të vetmit në Ballkan që ende nuk kanë dalë nga regjimi i vizave! Ndërsa udhëheqësit e të dy shteteve nga i njëjti komb, sa herë situata përshkallëzohet (pothuaj 2 herë në vit), përsërisin pa korrigjime: falënderojmë NATO-n, ShBA-në dhe BE-në. Bëjmë thirrje për maturi si dhe nxisim dialogun konstruktiv mes dy vendeve, çka sigurisht nuk mjafton as për të fshehur mbas hijes se gishtit që tregon të vërtetat.

E ripërsëris edhe më qartë: NATO nuk është organizatë aliene. KFOR ka kosto për vendet anëtare si dhe nuk do të qëndrojë përjetësisht në Kosovë (p.sh., në Afganistan 20 vjet). Kështu, pas 23 vjetëve duhet t’i përulemi me mirënjohje mesazhit të presidentit Klinton “ShBA/NATO ju sollëm lirinë; Ju do duhet të ndërtoni paqen”! Po ashtu e çmoj shumë cinike, kur të papazotë për të ndërtuar paqen për shtëpinë/ kombin tonë, fajësojnë komunitetin ndërkombëtar, ShBA, NATO, etj. me lloj-lloj populizmash egocentrike në mos marksiste. Nuk është fare e vërtetë.

Si shembull kujtojmë marrëveshjen në dhomën ovale, një përpjekje e fuqishme të presidentit Trump, që në gjykimin tim e tejkalon krizën, çliron bllokimin për njohjet e reja të Kosovës dhe shtron autostradën e paqes drejt aspiratave Euroatlantike për të dy vendet si dhe rajonin. Prandaj, z. Vuçiq edhe mbas nënshkrimit të marrëveshjes, bëri prapë viktimën pasi nuk mund të mbante barrën e refuzimit të projektit Trump, i cili fatmirësisht mbetet i pandryshuar edhe nga Presidenti Biden. Së fundi, shkrimtari Misha Glenny në librin e tij “The Balkans” (1804-2012) heton rrënjët e gjakderdhjes në Europën Juglindore. Ndër të tjera, zbulon se vendet që ne i mendojmë si armiq të paepur, gjatë shekujve kanë krijuar aleanca të pamundura, por dhe ekspozon pyetje kritike për marrëdhënien midis Ballkanit dhe Evropës.

Konsideruar këto mësime, besoj edhe më fortë se paqja e qëndrueshme, mbetet misioni i vetëm mes Serbisë dhe Kosovës, përkundër rikthimit të errësira e urrejtjes dhe gjakderdhjes shekullore mes dy popujve që kanë jetuar dhe do vijojnë të jetojnë në shekuj si fqinj ndërkufitarë. Më konkretisht, për gjeneratat reja dhe aktorët e moderuar të Beogradit dhe Prishtinës Zyrtare, do risugjeroja që perspektivën e dialogut mes dy vendeve sovrane ta parakushtëzojnë me vetëm tri Masa bazë të mirëbesimit reciprok, nëpërmjet të cilave dy shtetet e pavarura të angazhohen se: “(1) Ruajnë balancat e fuqisë ushtarake (nuk do zhvillojnë kapacitete ushtarake, Mig, raketa etj., që kërcënojnë respektivisht tërësinë territoriale); (2) nuk do të vendosin instalime ushtarake (20 kilometra distancë ajrore dhe pesë tokësore), në kufijtë e dy vendeve, si dhe (3) kjo paketë me vetëm tri parakushte të monitorohet me ShBA-në, NATO-n, të cilat mbeten faktorë kritikë për paqen dhe axhendën e integrimit Euroatlantik të 2 vendeve dhe në rajon”.

Historia e paskonflikteve na tregon se marrëveshje paqe dhe stabiliteti (me çdo lloj emërtimi) nuk kanë për të funksionuar, pa shtuar themelet e mirëbesimit reciprok. Krimea është shembulli i freskët, ku arritjet nga marrëveshja e paqes 2014, u shpagua me gjakun e qytetarëve ukrainas dhe rusë, ndërsa barra financiare u kushtoi po atyre sa një ditë lufte. Në shtesë, me përulësinë e një eksperti, me eksperiencë dhe kontribute me shumë se modeste në çështjet e sigurisë kombëtare, rajonit, NATO-s etj., do t’i rikëshilloja publikisht dhe vëllazërisht aktorët politikë dhe faktorët institucionalë në Tiranë dhe Prishtinë, që për interesa jetike kombëtare: Të përulen në gjunjë para historisë së përgjakshme si dhe përgjegjësive shtetërore duke jetësuar një platformë partneriteti strategjik: Dy shtete një komb dhe atij të mençur mbi sovranitetin dhe mbrojtjen e interesave kombëtare, duke konfirmuar se kjo “qasje e vonuar” nuk kërcënon asnjë vend, përkundrazi do të kontribuojë si balancë racionale për paqen afatgjate të rajonit.