Vuçiqi ironizon me Kurtin: Kemi dëshpërimisht nevojë për njohjen e tij, askush në botë nuk na njeh

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, duket se nuk i ka marrë fort me seriozitet thirret për njohje reciproke nga faktorët ndërkombëtarë.

Vuçiq iu ka drejtuar nga Presidenca serbëve, teksa ka komentuar edhe deklaratat e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurtit, për çështjen e njohjes reciproke, raportojnë mediat serbe.

“Kanë dekada që kanë biseduar me ne dhe kemi pasur një kornizë negociuese dhe tani Kurti kërkon që të ndryshohet me dhunë. Dëgjo, ai do ta njohë Serbinë. Nëse nuk do të ishte e trishtë, do të ishte qesharake, dhe në këtë mënyrë njeriu duhet të buzëqeshë. Kemi nevojë dëshpërimisht për njohjen e tij, askush në botë nuk na njeh”, tha Vuçiq.

Deklarata e tij vjen një ditë pasi Jason Rezaian, publicisti i rregullt i The Washington Post, shpërndau një bisedë me kreun e shtetit kosovar. Kurti për të deklaroi se nuk mund ta njohë Serbinë, përderisa kjo e fundit nuk e njeh Kosovën

“Nuk mund ta njoh Serbinë, e cila nuk më njeh mua. Pra duhet njohje reciproke dhe ne jemi të gatshëm të angazhohemi në këtë dialog”, ka cituar Rezaian të ketë thënë Kurti.

Njohjen reciproke së fundmi Vuçiqit në Serbi ia ka kërkuar kancelari gjerman, Olaf Scholz, për çka ishte çuditur Vuçiq. Ky i fundit tha se po dëgjonte për herë të parë nga liderët evropianë një kërkesë të këtillë.