Vuçiqi ha byrek para takimit me Kurtin: Na pret një javë e vështirë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, zbuloi në profilin e tij në Instagram se si po përgatitet për javën e ardhshme, e cila tha se do të jetë e vështirë për të.

Vuçiq, javën e ardhshme do të jetë në Bruksel, në një darkë pune me liderët e Ballkanit Perëndimor, ku do të marrë pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Byrek dhe kos, përgatitje e shkëlqyeshme për javën e vështirë përpara. Ne kemi takime të rëndësishme dhe besoj të suksesshme në Lubjanë, Bruksel dhe Pragë. Parimet politike janë forca jonë, dhe bashkëpunimi me Evropën dhe botën na garanton siguri ekonomike dhe një të ardhme më të mirë për ne. Rroftë Serbia”, shkroi Vuçiq në përshkrimin e një fotografie.

Takim joformal i liderëve të rajonit, i ftuar nga shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell po konsiderohet i dobishëm në përmirësimin e marrëdhënieve bilaterale mes shteteve. Ky do të jetë takimi i parë ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Vuçiq.