Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq është takuar sonte në villën “Mir” në Beograd me komisionerin për zgjerim të BE-së, Johannes Hahn.

Ata, sipas mediave serbe, kanë biseduar për integrimet evropianë të Serbisë, situatën në rajon dhe problemet “në dialog me Prishtinën”.

Komisioneri evropian, shkruajnë këto media, ka insistuar në përparimin e Serbisë në fushën e demokracisë dhe sundimit të ligjit në mënyrë që të ecet tutje në rrugën evropiane, transmeton Ballkani.info.

Vuçiq në anën tjetër ka theksuar se Serbia i respekton parimet më të lartë të demokracisë dhe do të sillet në pajtim me Gjermaninë, Francën dhe vendet tjera të BE-së kur bëhet fjalë për çështjet thelbësore në fushën e sundimit të ligjit, punës së policisë dhe organeve të drejtësisë.

Në prag të viztës së Hahnit, nga Komisioni Evropian është njoftuar se komisioneri në Beograd do ta përserisë domosdoshmërinë e dialogut ndërpartiak dhe përparimin në fushën e demokracisë dhe sundimit të ligjit.

Paraprakisht, Vuçiq dhe Hahn kanë marrë pjesë në ceremoninë e shpalljes së Hahnit si ambasador i ri i Lojërave Sportive për të Rinjtë.

Hahn nesër do të takohet sërish me Vuçiqin dhe me kryeministren, Ana Bërnabiq.

Komisioneri i BE-së ka shkuar në Serbi nga vizita që kishte në Bosnje, ku në Sarajevë ka biseduar me zyrtarët më të lartë të shtetit dhe të shoqërisë civile.

Hahni nuk ka planifikuar që ta vizitojë Kosovën, duke e anashkaluar kështu shtetin tonë. /Ballkani.info/