Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka akuzuar të mërkurën Kroacinë, Shqipërinë dhe Kosovën se “po krijojnë një aleancë ushtarake kundër Serbisë”. 

Vuçiq nga Pekini ka thënë se “ushtria serbe është mjaft e fortë për ta penguar çdo agresion të mundshëm nga fqinjësia”, shkruan “Index.hr”. 

Nuk e kanë formuar rastësisht Prishtina, Zagrebi e Tirana një aleancë ushtarake. Dhe nuk e bën për shkak të Austrisë, Hungarisë apo Sllovenisë, por për shkak të Serbisë…Ne nuk jemi budallenj që nuk e kuptojmë pse e bëtë”, u ka thënë Vuçiq gazetarëve, raporton agjencia serbe e lajmeve “Beta”. “Përsëri ju e lejuat formimin e një aleancë të tillë ushtarake, ju e bëtë atë kundër Serbisë. Ne duhet të jemi pengesë për ata që formojnë një aleancë ushtarake kundër nesh”. 

Vuçiq me aleancë la të nënkuptonte se po i referohej një deklarate për bashkëpunim në mbrojtje që Kroacia, Shqipëria e Kosova nënshkruan në mars.

Dokumenti i nënshkruar thotë se bashkëpunimi synon stabilitetin dhe sigurinë në Evropën Juglindore, mbështetjen për rrugën euroatlantike dhe forcimin e aleancës së tri vendeve mike që kufizohen edhe me Serbinë. 

Vuçiq tha se “Serbia s’do ta prekë askënd”, por shtoi se ushtria e saj po forcohet për ta mbrojtur integritetin territorial të saj. 

Ai ka paralajmëruar një paradë ushtarake në Serbi më 20 shtator.