Në një shkrim të gjatë të “The Washington Post” për tensionet në mes të Kosovës dhe Serbisë, si dhe për gjasat për të arritur një marrëveshje paqësore në mes dy vendeve, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, është shprehur se nuk i beson presidentit Thaçi deri sa për veten e tij ka thënë se është i sinqertë.
Vuçiq ka shprehur skepticizëm se Thaçi është i sinqertë për ndryshimin e kursit rreth tarifave dhe ka thënë se ai dhe Haradinaj po luajnë “Polici i mirë – Polici i keq”.
Presidenti i Serbisë është shprehur në favor të një roli më të madh të SHBA-së në këtë proces.
“Pjesëmarrja e Fuqive të Mëdha dhe me ndikim në rajon është e detyrueshme. Si lider i një prej kombeve më të mëdha në botë, e involvuar thellë në rajon, jam i sigurt që Presidenti Trump mund të jap kontribut të rëndësishëm në zgjidhjen e këtij konflikti”, ka thënë Vuçiq.
Në këtë artikull, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, citohet të jetë shprehur se mund të shqyrtohet heqja e taksës nëse Kosovës i jepet një rrugë e qartë drejt arritjes së një marrëveshjeje finale paqësore me Serbinë.
Por, kjo deklaratë u interpretua nga disa media si premtim për heqjen e taksës ndaj Serbisë, gjë që si duket e nxiti edhe reagimin e vetë presidentit Thaçi në llogarinë e tij në Facebook, ku e sqaron sërish qëndrimin e tij.
Statusi i plotë i presidentit Thaçi:
Kosova është gati të shqyrtojë heqjen e taksës për produktet serbe nëse Kosovës i jepet një rrugë e qartë drejt arritjes së një marrëveshjeje finale paqësore me Serbinë, i kam thënë gazetës “The Washington Post”, duke kërkuar që SHBA-ja të marrë rol udhëheqës në koordinimin e inputit ndërkombëtar për Marrëveshjen Paqësore finale që do të sjellë njohjen e Kosovës nga Serbia. Ndërgjegjja jonë na kërkon – dhe është detyrë e jona historike – që të bëjmë paqen të mundshme dhe të vërtetë.







