Vuçiq: S’kam frikë nga paralajmërimi i Britanisë së Madhe

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq tha sot se nuk ka frikë nga paralajmërimi i Londrës ndaj britanikëve që të mos udhëtojnë në veri të Kosovës, por se ka frikë nga situata në Kosovë për të cilën ai flet çdo ditë.

Kreu i shtetit serb i pyetur rreth paralajmërimit nga Ministria e Jashtme e Britanisë, theksoi se nuk ka dijeni të drejtpërdrejtë për këtë, por gjithnjë flet rreth asaj se nuk ka zgjidhje për problemin e Kosovës për të gjithë.

Ambasada britanike në Kosovë ka këshilluar vizitorët nga Britania e Madhe që të mos shkojnë në Veri të Kosovës, duke paralajmëruar se mund të ketë tensione.

Zyra e Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe në Kosovë këshillon qytetarët e Mbretërisë së Bashkuar të mos i vizitojnë assesi katër komunat e veriut të Kosovës, respektivisht Zubin Potokun, Zveçanin, Mitrovicën Veriore dhe Leposaviqin.

Sipas njoftimit të publikuar nga ambasada, gjendja në këtë zonë mund të tensionohet, prandaj vizitorët duhet të kenë kujdes.

“Protestat mund të bëhen të dhunshme, dhe duhet të keni kujdes nëse shihni turma të njerëzve të mbledhura, gjatë tensioneve politike në qytet. Kontaktoni mediat lokale, ose konsultohuni me recepsionet dhe rregullisht shikojeni sajtin e ambasadës për të qëndruar të informuar”, thuhet në njoftimin e ambasadës britanike në Kosovë.

Ndërsa, britanikët njoftohen se në veri nuk mungojnë incidentët prandaj duhet të evitojnë udhëtimin në komunat veriore.

“Në veriun e Kosovës ka pasur zhvillime të dhunshme, dhe incidente me granada dhe mjete eksplozive. Evitoni mbledhjet publike, sidomos rreth urës që ndan Mitrovicën në dysh”, thuhet tutje në këtë njoftim. /Ballkani.info/