Konferenca me Palmer

Vuçiq: Shqiptarët nuk do ta bënin Ushtrinë pa bekimin e Amerikës

Ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, Mathew Palmer ka thënë se është qëndrim i kahmotshëm amerikan që mbështetë formimin e Ushtrisë së Kosovës.

“Ka një kohë të gjatë që qëndrimi amerikan është që të mbështetët konstituimi i Ushtrisë së Kosovës, ky është tranzicion të cilit do t’i duhet shumë kohë dhe ne me kujdes po punojmë me partnerët tanë në Prishtinë që të sigurohemi që ky proces të shkojë ligjerisht mirë”, ka thënë Palmer.

Këtë koment Palmer e ka bërë në konferencë të përbashkët për media me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Siç është për ta Kosova e pavarur, për neve nuk është. E dimë këtë pozicion amerikan dhe nuk është as i ri e as befasues, dhe as shqiptarët do të bënin diçka pa mbështetjen amerikane. Gjithmonë janë thirrur në amerikanë. Kur i pyesim partnerët tanë amerikanë se në çfarë themeli e bazojnë mundësinë e formimit të Ushtrisë së Kosovës, përgjigjja është në atë se kjo bazohet në faktin se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe se të drejt ta ketë ushtrinë saj në pajtim me Kushtetutën e saj. Kjo drejpërdrejt është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare”, ka thënë Vuçiq, transmeton Ballkani.info.

Sipas tij, Serbia e ka një lutje për Amerikën.

“Ne i lusim partnerët amerikanë që ta kuptojnë pozicion e Serbisë, nëse vetëm nuk mund t’ua sqarojmë shqiptarëve se çfarë dëmesh dhe tragjedi mund të sjellin dhe jam i bindur se amerikanët do t’i kuptojnë lutjet tona… Neve na mbetet që t’i lusim që ta kuptojnë se kjo mund ta cenojë paqen dhe stabilitetin dhe të ketë pasoja tragjike”, ka thënë Vuçiq.

Palmer më herët ka thënë se SHBA-të e mbështesin dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i cili si rezultat do të sillte normalizimin e marrëdhenieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. /Ballkani.info/