Vuçiq shkel Marrëveshjen e Washingtonit, falënderon Kazakistanin që s’e njeh Kosovën

Presidenti Aleksandër Vuçiq po vazhdon të lavdërojë shtetet që nuk e njohin Kosovën, përkundër se ka hedhur nënshkrimin e tij në Marrëveshjen e Washngtonit me zotimin se nuk do ta bëjë një gjë të tiilë për një vit, deri në fund të shtatorit të 2021-ës.

Ai këtë herë falënderoi Kazakistanin për mbështetjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të Serbisë duke mos e njohur Kosovën kur i mori kredencialet e ambasadorit të këtij vendi, Madi Atamkulov, njofton Klan Kosova.

Vuçiq ka thënë se shpreson se kjo mbështetje do të vazhdojë të jetë e dukshme edhe në organizatat ndërkombëtare, transmeton Tanjug.

Presidenti serb tha se Serbia dhe Kazakistani duhet të punojnë në forcimin e marrëdhënieve politike përmes shkëmbimit më intensiv të vizitave zyrtare dhe mbështetjes reciproke në formate shumëpalëshe, si dhe në forcimin e bashkëpunimit ekonomik.

Ambasadori i ri gjithashtu tha se Kazakistani e konsideron Serbinë një partner të rëndësishëm politik dhe ekonomik dhe konfirmoi mbështetjen e vendit të tij për integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë.