Presidenti serb

Vuçiq rithekson: Dialogojmë me Kosovën vetëm pas heqjes së taksës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka ritheksuar qëndrimin e tij lidhur me çështjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ku thotë se kjo marrëveshje nuk do të ndodhë deri në heqjen e taksës 100% ndaj produkteve serbe.

Në një intervistë për Tv Pink, presidenti serb, vuri në dukje se Serbia në të gjitha mënyrat do ta ndihmojë popullin e saj në Kosovë.

“Unë jam mirënjohës ndaj popullit për mbështetjen e tyre, për luftën për Serbinë, lufta nuk do të jetë e lehtë, sidomos për popullin dhe interesat tona në Kosovë”, tha Vuçiç.

Sipas tij, situata e tyre po bëhet më e vështirë, sepse Prishtina nuk ka ndërmend të heqë taksat, të paktën deri në Vitin e Ri.

Vuçiqi vlerësoi pozitivisht letrën e që e ka dërguar presidenti amerikan, duke thënë se përmes saj, Donald Trump ka shfaqur dëshirën që problemi mes Kosovës dhe Serbisë të zgjidhet.