Vuçiq prezanton qeverinë e re të Serbisë, Daçiq do të jetë ministër i Punëve të Jashtme

Ivica Daçiq do të kthehet sërish në postin e ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë.

Daçiq, i cili ishte kryetar i Kuvendit të Serbisë në mandatin e kaluar, po i rikthehet ministrisë që drejtoi në qeverinë e Aleksandar Vuçiqit dhe më pas të Ana Bërnabiqit, nga viti 2014 deri në vitin 2020.

Pos si kryediplomat, ai do të ushtrojë detyrën edhe të shefit të Byrosë për Koordinimin e Shërbimeve të Sigurisë dhe atë të zëvendëskryeministrit të parë në Qeverinë e re të Serbisë.

Kryesia e Partisë Socialiste të Serbisë ka pranuar marrëveshjen e arritur nga kreu i socialistëve me kreun e Partisë Përparimtare Serbe në pushtet dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për përbërjen e qeverisë së re, transmeton Klankosova.tv.

Sipas kësaj marrëveshjeje, ministër i Arsimit do të mbetet Branko Ruzhiq, ndërsa i Ekonomisë Rade Basta.

Ndërkaq, socialistët do të kenë edhe dy ministra pa portofol në qeverinë e re.